Nëna e dy vajzave të shpëtuara nga kampi në Teksas rrëfen si ndodhi ngjarja

Fëmijët e saj dukeshin plot gjallëri e të buzëqeshur teksa hipën në një kamionçinë të bardhë të premten në mbrëmje, jashtë një shkolle fillore që ishte kthyer në qendër ribashkimi për prindërit e fëmijëve të shpëtuar nga një kamp që ishte përmbytur nga të reshurat gjatë natës.
Por nëna e tyre, Serena Hanor Aldrich, theksoi se ende nuk dihej si do të ndikonte kjo përvojë tek fëmijët, nëse tragjedia që kishte kapluar Camp Mystic – një kamp kristian në Teksasin Qendror – do të linte pasoja emocionale, raporton “New York Times”.
Aldrich, avokate nga San Antonio, tha se dy vajzat e saj, 9 dhe 12 vjeçe, nuk kishin treguar shumë për atë që kishin përjetuar, dhe se ajo nuk dëshironte t’i shtynte të flisnin për momentin. Megjithatë, pati disa fjalë të forta për organizatorët e kampit, ku rreth 20 nga 750 fëmijët ishin ende të zhdukur të premten në mbrëmje.
“Ata duhej të kishin ndjekur nga afër njoftimet e Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave të Teksasit dhe të Qarkut Kerr”, tha ajo, duke iu referuar autoriteteve që kishin paralajmëruar për përmbytje të mundshme. “Ata po jepnin sinjalizime që në mëngjesin e djeshëm. Duhej të ishin në gatishmëri”.

Vajza e madhe e Aldrich ndodhej në një pjesë të kampit të quajtur “Senior Hill”, ndërsa vajza e vogël në një zonë tjetër të quajtur “Flats”, kur fëmijët dhe një këshilltar u detyruan të ngjiteshin në terren më të lartë për t’i shpëtuar përmbytjes që po përfshinte kampin.
“Ato zbritën kur uji filloi të tërhiqej”, tha Aldrich. “Më pas arritën në një ndërtesë që nuk ishte më e përmbytur. Qëndruan aty për disa orë”.
Më vonë, vajzat u dërguan me autobus në një kamp tjetër dhe më pas në qendrën e ribashkimit pranë një shkolle fillore në Ingram.
Aldrich tha se ishte informuar më herët të premten se vajzat e saj ishin të sigurta, por ajo nuk ndjehej e qetë derisa t’i shihte me sytë e saj.
Megjithatë, lajmi i mirë u zbeh nga pasiguria që vazhdonte të mbretëronte. “Ende ka fëmijë të zhdukur”, tha ajo.
Teksa largoheshin nga qendra, vajza e madhe i tha: “Të gjitha gjërat e mia janë bërë me baltë”.
“Unë i thashë, ‘oh, nuk më intereson fare’”, tregoi Aldrich.