09:52 / E Martë, 28 Qershor 2022 / B O

Nënë e bir ranë në ujë dhe gjetën vdekjen, flet dëshmitari: Ndaluan fillimisht, më pas i dhanë gaz

GREQI – Detaje tragjike kanë dalë nga vdekja e nënë e bir në Selanikun lindor. Deri më tani autoritetet dyshojnë se kemi të bëjmë me një akt të pastër vetëvrasje.

Sipas mediave greke, dy personat e mbytur kishin mbushur makinën me thasë me rërë, kishin lidhur trupin me litar pas sediljeve dhe po ashtu kishin prangosur kyçet e duarve në timonin e makinës, pak para se djali 50-vjeçar të shkelte gazin e “Opel-it” dhe të binte në ujë bashkë me nënën e tij 75-vjeçare.

Ngjarja tragjike është shënuar të hënën rreth orës 14:03. Drama njerëzore u zbulua pak më vonë, kur zhytësit shkuan në fund të portit dhe panë të lidhur dy trupat e pajetë të të moshuarës dhe djalit të saj.

Sipas një banori të zonës, kjo është hera e tretë që në këtë pikë, njerëzit vendosin t’i japin fund jetës në të njëjtën mënyrë, pra të bien në det me makinën e tyre . Dëshmitar okular i asaj që ndodhi pasditen e së hënës ishte një burrë që në atë moment po notonte në det. Ai ka përshkruar se ka parë makinën që ka mbërritur në port, më pas ka ndaluar dhe pak sekonda më vonë ka ecur me shpejtësi dhe ka rënë në ujë.

“Jam i sigurt se ata ndaluan këtu për të vënë prangat pasi do ta kishin të pamundur të merrnin vendimin nëse do të lidheshin paraprakisht. Ata ranë, shtypën gazin dhe papritmas pashë makinën duke humbur në fund të detit . U trondita dhe shpejt kuptova se njerëzit nuk do të dilnin të gjallë, sado shpejt të vinte roja bregdetare. Makina u fundos në një kohë shumë të shkurtër”, ka përshkruar, dëshmitari okular i tragjedisë familjare.

“Ndoshta ishin duke i thënë lamtumirë njëri-tjetrit, ndaj u ndalën para se të ishte fatale. Gjithsesi duket se kishin vendosur para se të arrinin në port”, shtoi ai.

Informacionet bëjnë me dije se familja po përballej me probleme pasi raportohet se ajo nuk ishte në gjendje të përballonte vdekjen e dy anëtarëve të familjes. Dy vite më parë vëllai dhe djali 50-vjeçar i gruas i kishin dhënë fund jetës. Menjëherë pas ngjarjes tragjike, babai i familjes ka ndërruar jetë , duke mos besuar se çfarë kishte ndodhur me familjen e tij.