75 Mall Live Search
21:57 / E Premte, 19 Dhjetor 2025 / F.R

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi: Vuçiq e ka njohur de Facto Kosovën

Boris Pejoviq, nënkryetar i Parlamentit të Malit të Zi, ka deklaruar se Kosova është njohur në thelb nga vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pejoviq i bëri këto deklarata në një reagim të ashpër ndaj kryetares së parlamentit serb, Ana Brnabiq, pas akuzave të saj ndaj Malit të Zi për njohjen e Kosovës.

“Në fund të fundit, Kosova është njohur në thelb nga presidenti juaj. Merruni me këtë — dhe na lini rehat”, ka shkruar Pejoviq në platformën X.

Reagimi i tij erdhi pasi Brnabiq kishte pretenduar se Mali i Zi ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, Kartën e OKB-së dhe respektin themelor ndaj Serbisë, duke e njohur Kosovën si shtet të pavarur.

Ajo ka argumentuar gjithashtu se pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian ende nuk e njohin Kosovën, duke lënë të kuptohet se, sipas saj, Mali i Zi ka vepruar kundër normave evropiane.

Përplasja mes palëve u përshkallëzua edhe më tej pasi Brnabiq akuzoi Malin e Zi se strehon dy nga klanet kriminale më të rrezikshme në botë, “Skaljari” dhe “Kavac”, duke pretenduar se ato nuk mund të funksiononin pa mbështetjen e shtetit.

Pejoviq i ka hedhur poshtë këto akuza, duke e akuzuar Brnabiqin për ndryshim të qëllimshëm të narrativave, me synim që presidenti Vuçiq të paraqitet si viktimë.

Ai ka theksuar se klanet kriminale të përmendura janë shfaqur në vitin 2014 dhe se personat e dyshuar për lidhje me to nuk kanë asnjë ndikim në qeverinë aktuale të Malit të Zi.

Po ashtu, Pejoviq i ka rikujtuar Brnabiqit se të gjithë individët e dyshuar për lehtësimin e hyrjes së grupit kriminal të Veljko Belivuk nga Serbia në Mal të Zi tashmë janë ndjekur penalisht.