21:31 / E Hënë, 26 Mars 2018 / indeksADMonline

Nënkryetari i PDK-së reagon ndaj Vetëvendosjes: I mbrojtët interesat e Serbisë

Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, njëherësh nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka goditur Lëvizjen Vetëvendosje, pas reagimit të saj rreth arrestimit të shefit të të ashtuquajturës Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, në Mitrovicën e Veriut.

“Lëvizjes Vetëvendosje i paska dhimbtë intervenimi i shtetit të Kosovës për t’i dhënë përgjigje hyrjes pa leje në Kosovë të Marko Gjuriq”, ka thënë Ismaili.

“Sërish Vetëvendosje – me apo pa vetëdije – mbrojti interesat e Serbisë, duke e nënçmuar aksionin e Policisë së Kosovës, të cilin e konsideron si të shtyrë politikisht”, ka vlerësuar Ismaili.

“Sërish Vetëvendosje doli kundër shtetit të Kosovës. Turpi i saj nuk po ka fund”, ka thënë ai.