15:07 / E Mërkurë, 27 Qershor 2018 / indeksADMonline

Nënshkruhet dokument-marrëveshja për Transport Ndërkombëtar të Mallrave dhe Njerëzve me Malin e Zi

Sot, ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, ka pritur në një takim ekipën koordinuese të Malit të Zi për hartimin e Marrëveshjes Bilaterale për Transport Ndërkombëtar të Mallrave dhe Njerëzve, e udhëhequr nga zëvendësministri i Transportit dhe Çështjeve Detare, Dalibor Milosevic.

Ministri Lekaj, duke i falenderuar anëtarët e delegacionit nga Mali i Zi, tha se edhe heqja e taksës së sigurimit kufitar mes dy vendeve duhet të ndodhë, ngase kjo i shërben qarkullimit të lirë dhe pa vonesa të mallrave dhe qytetarëve të të dyja vendeve.

Pas takimit, udhëheqësit e dy delegacioneve, zëvendësministri Rexhep Kadriu në njërën anë dhe zëvendësministri Dalibor Milosevic në anën tjetër nënshkruan, dokument-marrëveshjen e cila i paraprinë nënshkrimit të Marrëveshjes Bilaterale për Transport Ndërkombëtar të Mallrave dhe Njerëzve, mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.

Ky dokument, u nënshkrua pas punës dy ditore të dy grupeve koordinuese të të dyja vendeve, të cilat kanë harmonizuar dokumentacionin bazë për nënshkrimin e marrëveshjes bilaterale mes dy vendeve, e që do të ndodhë gjatë muajit korrik të këtij viti, e cila ka për qëllim largimin e barrierave për Transport Ndërkombëtar të Mallrave dhe Njerëzve mes dy vendeve nënshkruese.

Bashkëpunimi i të dyja vendeve dëshmon edhe një herë marrëdhënjet e mira të miqësisë mes vendit tonë dhe Malit të Zi, si vende mike dhe të gatshme që njëra-tjetrën ta trajtojnë si partnere me rëndësi strategjike në rrugëtimet euro-atlantike të dy vendeve tona.​