15:45 / E Martë, 25 Qershor 2019 / indeksADMonline

Nënshkruhet kredia prej 18 milionë eurosh për parkun energjetik me erë

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), sot ka nënshkruar një kredi prej 18 milionë eurosh për parkun energjetik me erë të Kitkës.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, tha se sot është një ditë e rëndësishme për sektorin e energjisë veçanërisht për energjinë e ripërtritshme.

“Kjo mbështetje hap mundësinë edhe për financimin e projekteve tjera në të ardhmen”, tha Lluka.

Fjalë rasti kanë mbajtur edhe zyrtarë nga BERZH, Harry Boyd-Carpenter dhe Tarik Aygun nga grupacioni turk Guris.

Sipas zyrtarëve të BERZh-it, Kosova, e cila mbështetet në thëngjill për nevojat e veta energjetike, do të përfitojë nga energjia më e pastër dhe më e qëndrueshme nga parku i parë energjetik me erë në vend.

Mbështetja e BERZH-it për parkun me erë të Kitkës vijon pas angazhimit të suksesshëm me qeverinë e Kosovës për ta mbështetur më shumë energjinë e ripërtëritshme përmes sektorit bankar.