Nënshkruhet marrëveshja që mbron të dhënat personale dhe të drejtën për privatësi

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKSH), Policia e Kosovës (PK), Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit ndërinstitucional për mbrojtjen e të dhënave personale dhe respektimin e të drejtës për privatësi në kontekstin e komunikimit publik dhe raportimit medial.
Udhëheqësit e institucioneve: Krenare Sogojeva-Dermaku, Besim Kelmendi, Gazmend Hoxha, Kushtrim Hodaj, dhe Xhemajl Rexha, janë zotuar për zbatimin e Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, duke theksuar nevojën për respektimin e së drejtës për liri të shprehjes dhe mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve gjatë raportimit medial.
Në kuadër të marrëveshjes, institucionet do të angazhohen për parandalimin e publikimeve të paautorizuara të të dhënave personale në media dhe publik, ndërmarrjen e veprimeve për forcimin e rregullatives së akteve nënligjore të institucioneve për mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe rritjen e kapaciteteve profesionale për zyrtarët e institucioneve dhe mediave.
Marrëveshja e nënshkruar sot, reflekton angazhimin e përbashkët ndërinstitucional për të garantuar respektimin e së drejtës për privatësi dhe mbrojtje të të dhënave personale, duke u bazuar në standardet demokratike të lirisë së medias dhe informimit publik, ruajtjen e integritetit të proceseve hetimore dhe gjyqësore, si dhe promovimin e gazetarisë profesionale, përkitazi me etikën gazetareske.
Marrëveshja ka për qëllim të adresojë shqetësimet për shpërndarjen apo publikimin e të dhënave personale në media dhe palë të treta, përveç në rastet kur një veprim i tillë është i bazuar në dispozitë të qartë ligjore apo autorizim të posaçëm nga organi kompetent gjyqësor.
Në zbatimin e detyrimeve ligjore, në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes, institucionet do të themelojnë Grupin Koordinues të përbashkët, i cili do të monitorojë zbatimin e Marrëveshjes dhe do të ndërmarrë veprime për realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të institucioneve për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës.