15:43 / E Mërkurë, 29 Korrik 2020 / indeksADMonline

Nënshkruhet marrëveshje për eliminimin e tatimit të dyfishtë në mes të Kosovës dhe Holandës

Ministrja e Financave Hykmete Bajrami dhe Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Kosovë Gerrie Willems kanë nënshkruar sot Marrëveshjen për Eleminimin e Tatimit  të Dyfishtë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës

Në komunikatën eë lëshuar nga MF, bëhet e ditur se kjo marrëveshje kontribuon në një bashkëpunim të përmirësuar ekonomik ndërmjet dy vendeve tona, sepse përmban rregulla të qarta për të shmangur tatimin e dyfishtë. Kjo do të rezultojë në më pak pengesa tregtare për bizneset holandeze dhe kosovare dhe në këtë mënyrë do të kontribuojë në përmirësimin e klimës së biznesit.

“Ministrja Bajrami e falënderoi Ambasadoren Willems për bashkëpunimin e institucioneve holandeze drejt nënshkrimit të një Marrëveshje kaq të rëndësishme për sektorin privat në Kosovë, duke lehtësuar tregtinë ndërmjet dy vendeve. Ministrja theksoi se Qeveria e Kosovës po mbështet masat e menjëhershme me politika të qëndrueshme që do të ndihmojnë bizneset gjatë fazës së rimëkëmbjes ekonomike”, thekson komunikata.

Në anën tjetër ambasadorja Willems theksoi se Holanda do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj të integrimit evropian, me qëllim të përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve kosovarë. Mbështetja Holandeze për Kosovën ka një fokus në forcimin e sundimit të ligjit, por gjithashtu mbulon bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, pasi gjithnjë e më shumë kompani holandeze tregojnë interes për të bërë biznes me Kosovën. Kjo Marrëveshje do të promovojë marrëdhëniet tona tregtare bazuar në rregulla të qarta. Kjo do të bëhet edhe më e rëndësishme gjatë rimëkëmbjes ekonomike të pas COVID-it, kur kërkohet një qasje e përbashkët dhe bashkëpunim i ngushtë ndërmjet vendeve, jo vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por në Evropë si tërësi.