Nënshkruhet një memorandum gjashtëpalësh, që zgjedhjet në Kosovë të jenë të sigurta dhe të mos ketë keqpërdorime

Me qëllim të ngritjes së nivelit të bashkëpunimit për procesin zgjedhor gjashtë institucione që kanë rol kyç në mbarëvajtjen e zgjedhjeve kanë nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi.
KQZ-ja, Policia e Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Kryeprokurori i Shtetit, PZAP-i dhe KPM-ja u zotuan se do të angazhohen që gjatë procesit zgjedhor të ketë sa më pak shkelje dhe vepra penale
Drejtoresha e D4D-së, Rrezarta Krasniqi, tha se kanë iniciuar këtë memorandum me qëllim të përmirësimit të procesit zgjedhor.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se kjo marrëveshje është tregues i qartë i angazhimit të të gjithë institucioneve që proceset zgjedhore të jenë në përputhje me ligjin.
Nga KGJK-ja, Skender Çoçaj, u shpreh se ky bashkëpunim do të krijojë kushtet që mbarëvajtja e zgjedhjeve të jetë sa më e mirë.
E Laura Pula nga Prokuroria e Shtetit tha se bashkëpunimi ndërinstitucional jep rezultatet e veta.
Ndërkaq, drejtori i Policisë se Kosovës, Rashit Qalaj, u shpreh se bashkë mund të arrijnë më shumë në parandalimin e shkeljeve zgjedhore, por edhe ndjekjen e shpejtë të atyre që bëjnë shkelje të tilla.
Fjalë të mira për këtë memorandum bashkëpunimi shprehu Gyltene Sylejmani nga PZAP-i dhe Luan Latifi nga KPM-ja.