“Nëse e kisha pas përballë dhunuesin Dejan Rashiq…”, rrëfen e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës

Një grua, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ka rrëfyer publikisht përvojën e saj të rëndë, duke përballur me guxim traumën dhe pasojat e thella që i kanë ndjekur për vite me radhë.
Ajo ka treguar se ishte dhunuar seksualisht nga një fqinj serb, Dejan Rashiq, i cili asokohe kishte qenë pjesëtar i ushtrisë serbe. Sot, ajo thotë se do të donte ta kishte përballë vetëm për t’i treguar se dhuna e tij nuk e kishte thyer, por e kishte bërë më të fortë.
“Nëse e kisha pas përballë Dejan Rashiqin, i kisha thanë: a po m’sheh mirë tash? M’ke rrah, m’ke dhunu, m’ke malltretu, e sot jam gjallë. Jam gjallë dhe kam me qenë edhe më e fortë. Ku je ti tash? Ma mirë me t’i vra kush fëmijët e tu… Ishalla sa më shpejt hyn prapa grilave me i vuajt pasojat që na i ke shkaktu”, ka thënë ajo me lot në sy dhe zë të dridhur.
Rrëfimi i saj përshkruan skenat tmerruese të ndodhura para fëmijëve të saj, në një shtëpi pa kushte, ku përveç saj ndodheshin edhe fëmijët dhe vjehrra e paralizuar.
“Sa nuk muj me ia përshkru qysh ka ardh ai në shtëpi… para fëmijëve… s’e kam prit me malltretim në shtëpi, me një tub fëmijë, vjehrrën e paralizune, tmerr u kanë!”, rrëfen ajo në RTVDukagjini.
Edhe pse kanë kaluar vite, ajo thekson se drejtësia ende mungon, dhe se ajo vazhdon të presë që shteti të veprojë.
“Nëse del ai prapa grilave, mu m’doket sikur kam lind edhe njëherë”, tha ajo, duke bërë thirrje për ndëshkimin e kriminelëve të luftës.
Në fund, ajo falënderoi Qendrën për Rehabilitimin e Krimeve të Luftës (QRKMT) për mbështetjen shumëvjeçare dhe u dërgoi një mesazh të gjitha viktimave të dhunës seksuale që ende hezitojnë të flasin:
“Ju lutem, ngritni zërin. Flisni me dikë. Ka shoqata që merren me këtë çështje, ka shtet. Mos e mbani mllefin përbrenda, se sëmundja ju ha. Nxirreni dhimbjen jashtë, shëroni veten – se ndryshe nuk mundeni me jetu.”
Rrëfimi i saj është një ndër dhjetëra të tjerë të përfshirë në ciklin e rrëfimeve të të mbijetuarve të dhunës seksuale, që po shpalosin të vërtetën përballë harresës dhe padrejtësisë.