Nëse ndërtoni në Britani, ne do t’ju mbështesim
Jonathan Hargreaves
Javën e shkuar, ministrja e financave e Mbretërisë së Bashkuar [MB], kancelarja Rachel Reeves, publikoi buxhetin për vitin 2026 dhe janë tri gjëra që duhet t’i dini për mënyrën si po e përmirëson Mbretëria e Bashkuar ofertën e saj për biznesin dhe investimet ndërkombëtare.
Së pari, rritja mbetet misioni numër një i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Që nga marrja e detyrës, qeveria i ka rritur investimet kapitale për më shumë se 120 miliardë funta – në infrastrukturë, inovacion dhe energji të gjelbër – duke krijuar kushtet për lulëzim të industrive kyçe.
Ky buxhet konfirmoi investimet publike në nivelin më të lartë të mbajtur në katër dekada, çka nënkupton që investitorët mund të kenë besim në ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar në planin afatgjatë.
Gjithashtu, përcakton hapat vijues për forcimin e infrastrukturës së Mbretërisë së Bashkuar për të nxitur rritjen dhe produktivitetin – duke përfshirë lokacionin e reaktorëve të parë bërthamorë, të vegjël dhe modularë, në Mbretërinë e Bashkuar; financimin për një urë të re mbi lumin e Temzës (Thames); dhe Zonat e reja për Rritje të IA-së që shtrihen në mbarë vendin.
Këto janë plane afatgjata për ngritjen e një ekonomie më të fortë dhe më të sigurt.
Së dyti, si rezultat i këtij buxheti, mbikëqyrësi i pavarur fiskal i Mbretërisë së Bashkuar, Zyra për Përgjegjësi Buxhetore, e ka shtuar për 0.5 përqind parashikimin e vet të rritjes që nga marsi. Ndërkohë FMN-ja thotë se pret që rritja e Mbretërisë së Bashkuar të jetë e dyta më e shpejtë në G7 këtë vit dhe më e shpejta në mesin e ekonomive evropiane të G7-ës.
Kjo nënkupton më shumë mundësi për shërbime, prodhim, shkenca të jetës dhe industri – më shumë mundësi për investime dhe fitime.
Për fund, ky buxhet e ka bërë Mbretërinë e Bashkuar një vend edhe më atraktiv për të investuar – me një paketë madhore të masave që u ndihmojnë bizneseve të hapen, të rriten dhe të qëndrojnë në MB.
Këto masa do të rrisin kapitalin e disponueshëm për kompanitë e listuara në bursë dhe do të hapin rrugën për gjeneratën e ardhshme të ndërmarrësve dhe kompanive lider në sektorin e teknologjisë.
Me pak fjalë, ky buxhet është për ndërmarrësit.
Përkushtimi ndaj stabilitetit, investimeve dhe reformave veç po jep rezultate.
Rritja është përmirësuar, inflacioni është në rënie dhe huamarrjen do ta shkurtojmë më shpejt se çdo vend tjetër i G7-ës.
Në një botë të pasigurt, ne po sigurojmë financat publike dhe po zgjedhim të investojmë në të ardhmen e Britanisë.
Dhe, po e bëjmë Britaninë vendin më të mirë për të hapur biznese, për t’u rritur, për të investuar dhe për të qëndruar.
Kjo është një mundësi e shkëlqyeshme për Kosovën për të thelluar bashkëpunimin e saj ekonomik me Mbretërinë e Bashkuar dhe për të krijuar partneritete të reja, veçanërisht në fushat e energjisë, teknologjisë dhe inovacionit. Si për kosovarët veç të vendosur në Mbretërinë e Bashkuar si pjesë e diasporës së talentuar, ashtu edhe për biznese këtu në Kosovë të interesuara për tregti ose investime në Mbretërinë e Bashkuar, tani është koha e duhur për të forcuar lidhjet dypalëshe mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës dhe për t’i hapur dyert për ndarje të njohurive, investimeve dhe ndërmarrjeve të përbashkëta.
Me Mbretërinë e Bashkuar që ia hap derën, Kosova, si një ekonomi largpamëse e gatshme për të përqafuar ndryshimin, tani e ka një shans për t’i diversifikuar partnerët dhe për të shtuar partnerë të rinj.
(Autori është ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë)

