Nëse pi alkool e ndihesh “Superman” kujdes, policia të ndalë me plan!

Për të garantuar kontrolle më efektive dhe për të rritur sigurinë në komunikacion, Policia e Kosovës ka finalizuar një kontratë për furnizim me pipa për pajisjet e alkotestit, që përdoren për zbulimin e shoferëve nën ndikimin e alkoolit.
Sipas njoftimit zyrtar të autoritetit kontraktues, titulli i kontratës është “Furnizim me pipa për alkoteste”, me një vlerë të parashikuar prej 9,999.00 euro, transmeton IndeksOnline.
Pas përfundimit të procedurave të prokurimit publik, fitues i tenderit është shpallur operatori ekonomik “PM GROUP SH.P.K.”, i cili ka ofruar ofertën më të përshtatshme në përputhje me kriteret e përcaktuara.
Vlera përfundimtare e kontratës është 5,599.44 euro, ndjeshëm më e ulët se vlera e parashikuar, çka përbën një shfrytëzim më të efektshëm të buxhetit publik.

Ky furnizim vjen në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme të Policisë së Kosovës për të parandaluar ngasjen nën ndikimin e alkoolit dhe për të rritur kontrollin në terren, sidomos gjatë vikendeve dhe periudhave festive kur rreziku i aksidenteve është më i lartë.