Nëse vaksina e tuberkulozit na mbron nga koronavirusi, ç’do të thotë kjo për shqiptarët?

Një grup studiuesish në Hollandë, Australi dhe Danimarkë do të nisin këtë javë testimet për të provuar nëse vaksina e përdorur për tuberkulozin mund të forcojë sistemin imunitar të njerëzve për të luftuar në mënyrë më efektive koronavirusin.
Shkencëtarët në 3 vende të botës, sipas Science Alert do të nisin së shpejti me këtë eksperiment, i cili do të testohet tek individët që kanë më shumë gjasa që infektohen nga Covid-19, siç janë personeli mjekësor apo të moshuarit.
Ndërkohë, edhe vende si Greqia, Gjermani apo Shtetet e Bashkuara po e konsiderojnë gjithashtu studimin e vaksinës BCG në luftën kundër koronavirusit.
Ky studim ka për qëllim të testojë nëse vaksina e tuberkulozit e quajtur Bacillus Calmette-Guérin (BCG) ka fuqinë të luftojë kundër virusit të ri dhe të ndikojë në përmirësimin e pacientëve të prekur.

LISTA E VENDEVE QË ENDE REKOMANDOJNË KRYERJEN E VAKSINËS KUNDËR TUBERKULOZIT
Kërkuesit danezë, edhe më parë kanë arritur në përfundimin se BCG-ja mbron deri në 30% nga çdo lloj infeksioni të çdo lloj patogjeni, por gjithsesi OBSH-ja është paksa skeptike në lidhje me këtë, duke thënë se besimi në një studim si ky është i pakët. Ndryshe nga Shqipëria, Rusia apo Bjellorusia, ka vende që nuk e kanë patur të detyrueshme këtë vaksinë dhe vazhdojnë të mos e kenë, përfshi këtu Italinë.

LISTA ME VENDET KU VAKSINA E TBC-SË NUK ËSHTË MË E DETYRUESHME, SIKUNDËR NË VENDIN TONË
Shqiptarët janë njohur me një vaksinë si kjo që para viteve 1960-të.
Anabel.al kontaktoi me Dr.Shk. Natasha Thanasin (Troja), pneumologe e njohur, për t’u informuar më shumë në lidhje me ndikimin e kësaj vaksinë në situatën aktuale.
“Çdo fëmijë që lind në territorin shqiptar kryen vaksinën e TBC-së. Kjo tek ne është prej vitesh një vaksinë e detyrueshme e cila kryhet në maternitet. Madje, na ndodh shpesh që edhe emigrantët sjellin fëmijët e tyre për ta bërë këtë vaksinë kur kthehen në Shqipëri. Vaksina e tuberkulozit ka qenë e detyruesh me edhe para viteve ’90-të dhe rivaksinimi bëhet në periudha të ndryshme.”- u shpreh Thanasi.
Atëherë, a ndikon ky fakt në vendin tonë nëse studimet e fundit provojnë që kjo vaksinë mund të ndihmojë në luftën e koronavirusit?
“Nëse ky eksperiment vërtetohet shkencërisht, atëherë në një mënyrë jemi më të mbrojtur. Gjithsesi njerëzit duhet të dinë se imuniteti i krijuar nga vaksina e TBC-së është i përkohshëm, me fjalë të tjera, mbrojtja nuk është e përhershme. Gjithsesi do të jetë një arritje e madhe.”- vijon pedagogia për Anabel.al.
Kjo vaksinë ka qenë e detyrueshme në vendet ku përqindjet e të sëmurëve me tuberkuloz kanë qenë më të mëdha.
“Në klinikën ku unë punoj paraqiten shpesh fëmijë të emigrantëve të lindur jashtë, që vendosin të kthehen në Shqipëri nga Gjermania, Greqia apo Italia për ta bërë këtë vaksinë pasi nuk ju është aplikuar atje. Këta fëmijë nuk pranohen në çerdhet tona nëse nuk janë të vaksinuar kundër TBC-së.”