Nesër “dita e fundit”, a do të dështojë ekzekutimi i pagave për zyrtarët publik?

Ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Thesarit, Nysret Koca, i ka skaduar mandati ku pa nënshkrimin e këtij të fundit, nuk mund të bëhet asnjë dalje e parasë publike nga llogaritë e shtetit.
Gjatë ditës së sotme është pritur ekzekutimi i pagave për zyrtarët publikë dhe skemat sociale për muajin shtator, por që sot nuk janë realizuar.
Pagat nuk janë ekzekutuar as për familjet me skema sociale për këtë muaj.
Burimet e Indeksonline brenda Qeverisë së Kosovës, kanë thënë se afati i fundit i ekzekutimit të pagave për zyrtarët publikë është me datën 1, duke mos bërë të ditur ndonjë informacion shtesë për vonesat e pagave.
Sipas nenit 35 të Ligjit Zyrtarë Publik askush nuk mund të caktohet ushtrues detyre më shumë se një vit.
Ndërkaq, thuhet se çdo vendim i ushtruesit të detyrës pas kalimit të afatit të përcaktuar në paragrafin 3 është i paligjshëm.
“5. Çdo vendim i marrë nga ushtruesja/i i detyrës, pas kalimit të afatit të përcaktuar në paragrafin 3. të këtij neni, është i paligjshëm”, thuhet në paragrafin 5.
Mirëpo, “shpresa” mbetet nesër tek institucionet përgjegjëse që të japin sinjal pozitive për ekzekutimin e pagave.