75 Mall Live Search
23:43 / E Premte, 30 Janar 2026 / MSH1

Nesër dita e fundit për të aplikuar për masat e efiçiencës për prodhuesit

Nesër mbyllet thirrja publike për Skemën e Granteve për Energji të Pastër të ndërmarrjeve prodhuese dhe përpunuese, nga e cila skemë, bizneset do të përfitojnë deri në 20,000 euro për një masë të vetme dhe deri në 25,000 euro për masa të kombinuara.

Projekti në vlerë prej 1,000,000.00 euro, është financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut e zbatuar nga KIESA/MINT, në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë (ME) dhe LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.

Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se thirrja u dedikohet ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe ndërmarrjeve të mëdha që nuk përfitojnë nga tarifat e rregulluara të energjisë elektrike dhe që kanë si aktivitet primar ose sekondar prodhimin apo përpunimin.

Thirrja për aplikim ka qenë e hapur që nga data 10.10.2025 dhe mbyllet më datë 31.01.2026 në mesnatë.

Gjatë kësaj kohe, janë organizuar disa sesione informuese me biznese dhe palët e interesit, dhe është një numër i konsiderueshëm i bizneseve që kanë aplikuar deri më tani për përfitim nga kjo skemë mbështetëse.

“Bizneset që janë në proces të aplikimit, i ftojmë që të sigurohen që aplikimin ta përmbyllin me kohë brenda ditës së nesërme, në mënyrë që të konsiderohet i vlefshëm” thuhet në njoftim.

Skema përfshin tri masa kryesore: sisteme solare dhe bateri për ruajtje të energjisë, masat e efiçiencës së energjisë në ndërtesat e bizneseve, pajisje për uljen e konsumit të energjisë në linjat e prodhimit.

Përveç mbështetjes financiare, përfituesit do të kenë qasje edhe në ngritje kapacitetesh dhe asistencë teknike, për të siguruar investime të qëndrueshme dhe afatgjata.