75 Mall Live Search
14:17 / E Martë, 30 Shtator 2025 / S Z

Nesër fillon vaksinimi kundër gripit sezonal

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, njoftojnë qytetarët se më 1 tetor fillon vaksinimi kundër gripit.

Gripi sezonal është një infeksion i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes që përhapet lehtë dhe mund të shkaktojë komplikime serioze, veçanërisht te: fëmijët me imunitet të dobësuar, të moshuarit, gratë shtatzëna, punonjësit e shëndetësisë dhe personat me sëmundje kronike.

Simptomat më të zakonshme janë: ethet, kollitja, dhembjet e muskujve, lodhja dhe dhembjet e kokës.

Vaksinimi mbetet mënyra më efektive për të mbrojtur veten dhe të afërmit tuaj nga gripi dhe komplikimet e tij.

Punonjësit e shëndetësisë rekomandohet fuqimisht të vaksinohen për të garantuar sigurinë e tyre dhe të pacientëve që trajtojnë.

Po ashtu, gratë shtatzëna rekomandohen të vaksinohen për mbrojtje të plotë të tyre dhe të foshnjës.

Profesione të tjera me rrezik të shtuar që rekomandohet të vaksinohen janë: punëtorët e Policisë së Kosovës, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, banorët dhe stafi i shtëpive të të moshuarve, mësimdhënësit dhe edukatorët si dhe kujdestarët e pacientëve me imunitet të dobësuar.

Vaksinimi kryhet në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare në komunat përkatëse, të cilat janë furnizuar me vaksina nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShPK).

“Ju ftojmë të paraqiteni në qendrën tuaj të mjekësisë familjare për të marrë vaksinën falas”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.