23:23 / E Shtunë, 10 Shkurt 2024 / MSH

Nesër izolohet zona përreth Komunës së Re të Prishtinës, paralajmërohen erëra të forta

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nesër do të izolohet zona përreth objektit të ri të Komunës së Prishtinës.

Sipas njoftimit të Komunës, kjo do të bëhet për të parandaluar ndonjë fatkeqësi të mundshme për shkak se janë paralajmëruar për nesër erëra të forta nga 20 deri në 80 km/h të cilat do të sjellin edhe dëme materiale.

“Të nderuar qytetarë, ju lutemi të keni kujdes gjatë qarkullimit nëpër parqe dhe parkimit të veturave afër pemëve pasi ekziston rreziku i rënies së degëve” thuhet mes të tjerash në njoftim.

Ky është njoftimi i plotë i Komunës:

Të nderuar qytetarë,

Nesër, e diel, 11.02.2024, Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca do të izolojë zonën rreth objektit të Kryeqytetit në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.

Kjo do të bëhet për të parandaluar ndonjë fatkeqësi të mundshme për shkak se janë paralajmëruar për nesër erëra të forta nga 20 deri në 80 km/h të cilat do të sjellin edhe dëme materiale.

“Sipas parashikimeve meteorologjike për nesër e diel 11 Shkurt 2024, parashihet të ketë reshje shiu, të cilat në momente të caktuara do të jenë në formë të rrebesheve, të shoqëruara me ndonjë shkarkesë elektrike. Era do të fryjë nga juglindja, e cila kohë pas kohe pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 20-80 km/h! Parashihet të ketë dëme materiale në zona të caktuara” – thuhet në njoftim.

Të nderuar qytetarë,

Ju lutemi të keni kujdes gjatë qarkullimit nëpër parqe

dhe parkimit të veturave afër pemëve pasi ekziston rreziku i rënies së degëve.

Çdo rast rreziku ju lutemi raportoni në Qendrën Emergjente të Kryeqytetit në numrat:

0800 112 33 ose

0800 112 44

Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca