Nesër mbahet seanca e radhës për rastin e zhdukjes së dr.Hafir Shalës

Nesër, më 15 maj 2025, me fillim nga ora 09:30, në Departamentin special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, do të mbahet seanca e radhës gjyqësore në procesin kundër Sllavisha Filiqit, i akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile, për rastin e zhdukjes së doktor Hafir Shalës.
Deshmitarët në seancat e kaluara dhanë detaje rreth datës 10 prill 1998, kur dr. Shala u ndalua në mënyrë të dhunshme nga tre persona gjatë rrugës nga Drenasi për në Prishtinë dhe u fut në një xhip të zi, për të mos u parë më kurrë.
Dëshmitarët thanë se gjithçka kishte qenë një pritë e organizuar dhe se autoritetet asokohe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim.
Sipas aktakuzës së prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri Sllavisha Filiq, në cilësinë e pjesëtarit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, së bashku me dy zyrtarë të tjerë të këtij shërbimi (ende të paidentifikuar), më 10 prill 1998, ndaluan në mënyrë të dhunshme dr. Hafir Shalën në udhëkryqin e Sllatinës, afër aeroportit të Prishtinës.
Pas legjitimimit nga policia serbe, dr. Shala u mor me forcë dhe u fut në një veturë të tipit “Opel Frontera” me targa PR-986-16, e drejtuar nga vetë Filiq.
Ai më pas u dërgua në ndërtesën e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë, ku sipas prokurorisë, iu nënshtrua torturave. Që nga ajo ditë, fati i tij mbetet i panjohur./IndeksOnline/