75 Mall Live Search
20:02 / E Hënë, 12 Maj 2025 / FR

Nesër mbledhja e 15-të e kuvendit, Abdixhiku: Kosova ka nevojë për institucione funksionale, jo për përsëritje të krizës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar sot përmes një postimi në Facebook, duke i kërkuar klasës politike kosovare një zgjidhje të menjëhershme për krizën aktuale politike, që ka lënë Kosovën pa Parlament dhe Qeveri për më shumë se tre muaj.

Në postimin e tij, Abdixhiku theksoi se nesër do të bëhet hera e 15-të që Kuvendi i Kosovës mblidhet për të pritur të njëjtin rezultat, pa arritur të krijohet një shumicë për formimin e Qeverisë.

Ai shtoi se ky proces ka shfaqur një “praktikë pa rezultat,” ku seancat e Kuvendit hapen pa përfunduar me një zgjidhje konkrete, ndërsa qytetarët po përballen me krizën e çmimeve, pagave të ulëta dhe faturave të energjisë.

“Kriza vazhdon. Çmimet e larta bërtasin, pagat vazhdojnë të mbesin të pamjaftueshme, faturat e energjisë rriten, e asnjë projekt madhor nuk ecën më. Vendet përreth ndërtojnë aeroporte, spitale e centrale. Tek ne disa gjejnë komfortin në shfaqje 48-orëshe pa asnjë rezultat,” ka shkruar Abdixhiku

Ai gjithashtu theksoi se një zgjidhje e mundshme për krizën mund të jetë krijimi i një Qeverie Nacionale të Tranzicionit, me mandat të kufizuar dhe agjendë të përbashkët, deri në zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Ky propozim, sipas Abdixhikut, është i domosdoshëm për të siguruar funksionimin e institucioneve dhe për të adresuar menjëherë problemet e qytetarëve.

“LDK-ja mirëpret secilën mundësi në funksion të daljes nga kjo gjendje, përfshirë takimin e përbashkët të ftuar nga Presidentja. Por që një nismë të ketë sukses, duhet të paraprihet me ide të reja. Insistimi në të vjetrat, edhe në takim, nënkupton komfort dhe bllokim të mëtejmë,” ka thënë Abdixhiku.

Propozimi i LDK-së mbetet si opsioni i vetëm që mund të dalë nga ky bllokim, duke ofruar një mundësi për të rikthyer funksionimin e institucioneve dhe për të shmangur paralizën politike.

Abdixhiku, në lidhje me ftesën e presidentes Vjosa Osmani ka thënë se LDK-ja e mirëpret secilën mundësi në funksion të daljes nga kjo gjendje.

“LDK-ja mirëpret secilën mundësi në funksion të daljes nga kjo gjendje, përfshirë takimin e përbashkët të ftuar nga Presidentja. Por që një nismë të ketë sukses, duhet të paraprihet me ide të reja. Insistimi në të vjetrat, edhe në takim, nënkupton komfort dhe bllokim të mëtejmë”, është shprehur Abdixhiku./IndeksOnline/