75 Mall Live Search
10:59 / E Martë, 18 Prill 2023 / B O

Nesër merret vendimi final për dënimin e Juventusit, tre skenaret e mundshme

Para ndeshjes të së enjtes në Europa League ndaj Sporting Lisbon, Juventusi ka nesër një sfidë edhe më të rëndësishme. Ndeshja” të mërkurën do të luhet në një tjetër fushë, në atë të Kolegjit Arbitrar të Garancisë së Sportit, në “CONI” (Komiteti Olimpik Italian).

Në shkallën e tretë dhe të fundit në gjykimin sportiv, nesër do të jepet legjitimiteti final e vendimeve të dy shkallëve të mëparshme të gjykimit. residentja e Kolegjit të Garancisë së Sporteve, Gabriela Palmieri Sanduli, ka caktuar seancën për të mërkurën, 19 prill 2023, në orën 14:30, përpara kryetarëve të seksionit, Vito Branka, Atilio Zimatore, Masimo Zaçeo dhe Dante D’Alesio.

Përveç ankimimit të klubit kundër vendimit të Gjykatës Federale të Apelit, që vendosi dënimin me 15 pikë pas revokimit të dënimit të mëparshëm për fitimet e dyshimta kapitale, në kolegj do të jenë edhe ish-anëtarët e bordit drejtues të Juventusit: Andrea Anjeli, Fabio Paratiçi, Federiko Kerubini, Pavel Nedved, Mauricio Arrivabene, Paolo Garimberti, Azia Gracioli-Venier, Kaitlin Mari Hjuxhes, Daniela Marilungo, Françesko Ronkalio, Enriko Velano.

Federata Italiane e Futbollit nuk është bërë palë e akuzës, ndërsa ana tjetër përballë Juventusit do të jetë Prokurori i Përgjithshëm i Sportit, prefekti Ugo Taucer.

Ekzistojnë tri mënyra të mundshme për të dalë nga seanca. Njëra, të refuzojë ankesën e Juventusit dhe të konfirmojë dënimin prej 15 pikësh të vendosur nga Gjykata Federale e Apelit.

Së dyti, pranon apelimin e Juventusit dhe anulon 15 pikët e dënimit nëse konstatohen gabime formale ose procedurale në formimin e marrjes së masës së dënimit në shkallët e mëparshme të gjykimit.

Mënyra e tretë është ajo e referimit në Gjykatën Federale të Apelit për të korrigjuar çdo defekt të treguar nga Kolegji i Garancisë dhe në dritën e tyre të rishqyrtojë procedurën, të arrijë në një dënim të ri dhe të shkruajë arsye të reja, që mund të nënkuptojnë (ose jo) gjithashtu një riformulim në terma të ndryshëm të dënimit. Në rastin e fundit, 15 pikët do t’i riktheheshin momentalisht Juves, në pritje të riformulimit të ri të akuzës.