75 Mall Live Search
14:54 / E Martë, 01 Korrik 2025 / L A

Nesër nis Kampionati Evropian U-16 i volejbollit, që organizohet në Prishtinë dhe Tiranë

Federata e Volejbollit e Kosovës në bashkëpunim me Federatën e Volejbollit të Shqipërisë do të organizojë Kampionatin Evropian U-16 për vajza, i cili prej 2 deri më 13 korrik 2025 mbahet në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë dhe në Tiranë.

Kjo është ngjarja më e madhe ndërkombëtare e volejbollit e zhvilluar ndonjëherë në Kosovë, dhe njëra prej ngjarjeve më të mëdha në sportin e Kosovës, që përfaqëson një moment historik për sportin dhe komunitetin tonë.

Vajzat tona e nisin kampanjën ndaj Malit të Zi, takim ky që nis në ora 20:00 dhe që pritet të mbledh numër të madh shikuesish.

Mbrëmë Kosovën U-16 e ka vizituar në përgatitje edhe zëvendësministrja në detyrë për Kulturë, Rini e Sport, Daulina Osmani.

Në grupin (B) e Kosovës janë edhe Kroacia, Republika Çeke, Greqia, Hungaria, Mali i Zi, Sllovenia dhe Turqia.

Shqipëria ndodhet në grupin A, së bashku me Bullgarinë, Francën, Italinë, Lituaninë, Poloninë, Spanjën dhe Ukrainën.

Pikërisht Kosova dhe Shqipëria kanë luajtur dy ndeshje miqësore para nisjes së Evropianit, derisa bashkërisht kanë vizituar edhe kompleksion memorial “Adem Jashari” në Prekaz.