Nesër pritet të mbahet konferenca e parë pas përfundimit së paraqitjes së provave nga ZPS-ja në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, të mërkurën më 23 prill pritet të mbahet konferenca e parë për ecurinë e çështjes pasi që Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka përfunduar paraqitjen e provave në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në këtë konferencë, pritet të diskutohet për hapat procedural pas përfundimit të paraqitjes së provave nga ZPS-ja, pasi edhe mbrojtja ka njoftuar se do të bëjë kërkesë për rrëzimin e një ose më shumë akuzave në aktakuzë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndryshe, sipas Rregullores së procedurave dhe provës, në varësi të vendimit për këto mocione, mbrojtësi i viktimave do të ketë mundësinë që t’i paraqes provat e veta, të cilën të drejtë ka paralajmëruar se do ta shfrytëzojë.
Po ashtu, edhe mbrojtja e të akuzuarve ka thënë se planifikojnë që të thërrasin dëshmitarët e tyre, por për siguri do presin vendimin lidhur me mocionet për rrëzimin e akuzave.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.