Nesër Prokuroria Speciale në Hagë kthen pajisjet që i morën kur i arrestuan krerët e OVL-UÇK

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku ka njoftuar se nesër Prokuroria Speciale në Hagë do të kthejë pajisjet, të cilat i kanë marrë po të njëjtën ditë kur i arrestuan Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn, shkruan Indeksonline.
Ai tha se për t’i marrë këto e kanë autorizuar avokatin Tomë Gashin.
“Prokuroria Speciale në Hagë, duhet të japë sqarime se çfarë ka gjetur në pajisjet tona…?”, shtoi Klinaku.
Postimi i plotë:
Zyrtarët e Prokurorisë Speciale në Hagë, 6 muaj pas bastisjes në selinë qendrore të OVL të UÇK-së në Prishtinë, më kanë njoftuar se nesër 24.03.2021 në orën 10:00, do t’i kthejnë pajisjet, të cilat i kanë marrë me 25.09.2020, në të njëjtën ditë kur i arrestuan padrejtësisht kryetarin Hysni Gucati dhe nënkryetarin Nasim Haradinaj.
Ne kemi autorizuar avokatin e OVL të UÇK-së z.Tomë Gashi, i cili nesër, në kohën e sipërpëmendur, do të shkojë në zyrat e Prokurorisë Speciale të Hagës, që janë në kompleksin e EULEX-it në Fushë-Kosovë, që t’i marrë pajisjet tona.
Prokuroria Speciale në Hagë, duhet të japë sqarime se çfarë ka gjetur në pajisjet tona…?