Nesër protesta në Veri/ Eksperti i sigurisë tregon skenarët e mundshme të rrjedhjës së situatës

Policët serbë në veri të Mitrovicës deklaruan sot tërheqjen nga detyrat e tyre, duke zhveshur uniformën e policisë.
Kjo situatë erdhi si rrjedhojë e shkarkimit të drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë të Veriut, Nenad Gjuriq.
Ndërkohë, Lista Serbe u ka bërë thirrje të gjithë serbëve të Veriut të dalin e të protestojnë nesër.
Sipas ekspertit të sigurisë nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli, këto zhvillime në veri, kanë një shtytje nga jashtë, në këtë rast nga Serbia.
“Këto zhvillime duket qartë se kanë një shtytje nga jashtë, si çdo veprim qe ka qenë në pjesë veriore, e shtytja kryesore e këtyre veprimeve është pikërisht nga Beogradi. Lidershipi serb në pjesën veriore është i imponuar në menyrë të dhunshme nga ana e Beogradit dhe, jo domosodshmërisht ky lloj lidershipi përfaqëson interesat e qytetarëve serb, e aq më pak atyre kosovarë” deklaroi Vrajolli për Indeksonline.
Ai vlerëson se këto veprime kanë për synim tensionimin e situatës në pjesën veriore, por që është e vështirë të parashikohet se në ç’deri masë synohet kjo gjë.
Vrajolli thotë se ky tensionim mund të shkaktohet për të “shpëtuar” fytyrën e Serbisë në planin franko-gjerman, i cili, sipas tij nuk duket të jetë shumë në favor të shtetit fqinj.
Tutje, Vrajolli ka listuar edhe skenarët e mundshme të vajtjes së protestës së nesërme në Veri.
“Rreziku më i madh është se mund të ketë sulme terroriste në pjesën veriore, ku mund të sulmohen pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe kështu, pak a shumë të mundohën të mbajnë situatën të tensionuar, përmes sulmeve. Barrikadat janë futur si opsion, rrugët mund të bllokohen” parashikon Vrajolli.
Tërheqjen e serbëve, ai nuk e sheh si me shumë impakt në institucione, pasi konsideron se prezenca e serbëve në institucione, deri më tani, ka qenë më shumë prezencë formale, me zero interes të treguar./Indeksonline/