12:53 / E Enjte, 24 Shkurt 2022 / OSH

Nesër protestohet kudër shtrenjtimit të rrymës, Sijarina: Qeveria po bëhet garancia kryesor e fitimeve të KEDS-it

Sërish përmes protestës do të kërkohet anulimi i vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për shtrenjtimin e rrymës.

Grupi organizativ i protestës “Asnji cent më shumë” nesër do të kërkojnë edhe nacionalizimin e KEDS-it. Në konferencën për medie, Liridona Sijarina nga kjo organizatë është shprehur edhe se Qeveria është pozicionuar krah kompanive private dhe kundër interesave të qytetarëve.

Sijarina tha se rritja e çmimeve është një barrë që ka rënduar jetën e gjithsecilit qytetarë.

“E vetmja kategori e dëmtuar me këtë vendim mbetën qytetarët, të cilët tash e sa kohë po e mbajnë mbi supe barrën e rënduar të të gjithë sektorëve të jetesës së tyre, si me rritje të çmimeve në sektorët tjerë, si me shkallën e lartë të papunësisë tash edhe me rritje të energjisë elektrike”, tha ajo.

Sijarina tha që me vendimin e ZRrE-së të hyrat e lejuara maksimale brenda një viti shkojnë në 447 milionë euro.

“Me vendimin e ZRrE-së të hyrat e lejuara maksimale brenda një viti për kompaninë private KEDS shkojnë në 447 milionë euro. Kësaj kompanie po i rritet fitimi vit mbas viti, ndërsa qytetarëve vit mbas viti po i vështirësohen kushtet e jetesës”, tha Sijarina.

E sipas Sijarinës Qeveria është duke u bërë garancia kryesore e fitimeve të KEDS-it.

“Në gjithë këtë lojë, Qeveria e Kosovës është pozicionuar në krah të kësaj kompanie private, e kundër interesave qytetare. Madje, Qeveria e Kosovës është duke u bërë garancia kryesor e fitimeve të KEDS-it, duke i kënaqur apetitet e kësaj kompanie me 100 milionë euro subvencione nga paraja publike. Pra, ajo që Qeveria nuk po e bënë të qartë është që ky 100 milionësh është duke u paguar prej taksave tona. Jemi na ata/o që po e paguajnë këtë rritje e zhvatje të KEDS-it, nji herë përmes faturës e një herë prej parasë publike që menaxhohet prej Qeverise së Kosovës”, tha Sijarina.