16:17 / E Martë, 27 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Nesër qytetarët protestojnë me moton “Mos na bllokoni”!

“Mos na bllokoni” është motoja e protestës së nesërme të thirrur nga Bashkim Fazliu, që do të mbahet gjatë kohës sa Kuvendi i Kosovës të mbajë edhe një seancë si përpjekje që ta ratifikojë Demarkacionin me Malin e Zi.

Fazliu, i cili ishte kandidat për kryetar të Komunës së Ferizajt, ka kërkuar mbështetjen mediale për protestën e nesërme.

“Kërkojmë nga Ju mbështetje mediale për protestën e nesërme MOS NA BLLOKONI, duke shpërndarë ftesën dhe duke sensibilizuar opinionin për rëndësinë e protestës së nesërme dhe të tjerave që do të pasojnë deri në ratifikimin e Demarkacionit nga Kuvendi i Kosovës”, thuhet në njoftimin e tij.

Protestë e njëjtë u organizua edhe javën e kaluar përderisa Kuvendi tentoi ta ratifikojë Demarkacionin, por pak njerëz iu bashkëngjitën asaj proteste.

Seanca për demarkacionin pritet të mbahet nesër në orën 10:00. Gjatë javës së kaluar Kuvendi dështoi dy herë ta hidhte në votim pasi nuk i kishin votat e mjaftueshme.