Nesër rikthehen seancat, a po konstituohet Kuvendi?

Nesër në orën 11:00 do të vazhdojë mbajtja e seancave për konstituimin e Kuvendit.
Krejt kjo pas aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese.
Megjithatë, analistët kosovarë vlerësojnë se pa një marrëveshje politike, vështirë se Kuvendi konstituohet.
120 deputetët e legjislaturës së nëntë do të mblidhen nesër paradite për vazhdimin e seancës konstitutive, pas aktgjykimit të publikuar nga Gjykata Kushtetuese që solli rregulla të reja për konstituimin e Kuvendit.
E para e shtetit, Vjosa Osmani, e quajti urgjencë shtetërore konstituimin e organit ligjvënës.
“Në këtë periudhë të zhvillimeve dinamike në kontinent dhe sfidave globale që e prekin edhe rajonin tonë, krijimi sa më i shpejtë i institucioneve të reja në përputhje me procedurat e parapara në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese është jetik për stabilitetin, përfaqësimin demokratik dhe për adresimin e interesave të qytetarëve”, tha Osmani.
Sipas Presidencës, zvarritja e deritanishme e krijimit të institucioneve, ka dëmtuar jo vetëm besueshmërinë e institucioneve dhe zhvillimin e vendit, por edhe përparimin e vendit në arenën ndërkombëtare.
Seanca e fundit konstituive u mbajt më 26 korrik.