Nesër shorti për Kosovën, çfarë thonë analistët dhe cilët kundërshtarë preferojnë?
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka arritur të shkruaj historinë, duke u kualifikuar për herë të parë në play-offin e Kupës së Botës.
‘’Dadanët’’ i mbyllen kualifikueset e Botërorit të dytët në grup, me 11 pikë të grumbulluara, tre më pak se kombëtarja e Zvicrës, shkruan IndeksOnline.
Nesër Kosova do të mësojë kundërshtarin e parë të play-offit, ku pritet të jetë njëra nga këto kombëtare, Polonia, Uellsi, Çekia e Sllovakia.
Në një prononcim për IndeksOnline, trajneri i njohur kosovar, Bylybyl Sokoli, thotë se kombëtarja e Polonisë do të jetë kundërshtari më i papërshtatshëm.
Por Sokoli mendon se Kosova mund të fitojë ndaj çdo kundërshtari nga vazoja e dytë.
‘’Ekipi që luan taktikisht më shumë disiplinë është Polonia, kishte me qenë kundërshtari më i papërshtatshëm, por jo i pakalueshëm. Sllovakia, Çekia dhe Uellsi janë të cilësisë së përafërt”, shprehet Sokoli.
Mirëpo sipas trajnerit të Drenicës, Kosova mund të fitojë kundër Sllovakisë, Çekisë dhe Uellsit.
”Duke e pas parasysh stilin e lojës që kanë lojtarët tanë, mendimi im është se Kosova mund të fitojë kundër Sllovakisë, Çekisë dhe Uellsit me këtë renditje! Kosova mund të fitojë ndaj çdo kundërshtari nga vazoja e dytë.
Shpresoj që përbërja e ekipit tonë të jetë me lojtarë që janë në formën e duhur para takimeve të play-offit!’’, ka deklaruar Bylbyl Sokoli për IndeksOnline.
Për kundërshtarët e mundshëm të Kosovës është deklaruar edhe trajneri i Llapit, Tahir Batatina.
Ai tha se kundërshtari më i lehtë për ndeshjen e parë është kombëtarja e Sllovakisë.
‘’Mendoj që nuk ka rëndësi kush do te jetë kundërshtari, sepse Kosova e ka dëshmua se ka potencial dhe ka pas gjithmonë por tash është në binaret e vet dhe me këta djem që i kemi dhe formën që e ka skuadra, nuk kam asnjë dyshim për mos kualifikim vetëm të mobilizohemi të gjithë që ti përkrahim këta djem dhe stafin së bashku me trajnerin dhe të ecim tutje sepse botërori e ka hijeshinë e vet me dy kombëtare shqiptare në Amerikë sepse atje i kemi njerëzit ma të mirë që kanë dhënë shumë për lirinë e vendit tonë dhe luajmë një Botëror me një vend superfuqi që e kemi shtet mik dhe aleat ma të mirë.
Mendoj se Sllovakia është kombëtare më lehtë e kalueshme. Unë gjithmonë kam besua te këta djem, vetëm u dashtë me e gjet modulin e duhur dhe moduli i gjetur është shumë i mirë.’’, tha Tahir Batatina për IndeksOnline.
Të njëjtin mendim e ka edhe Granit Begolli, trajner aktual i Feronikelit ’74.
Ai për IndeksOnline tha se Sllovakia është kombëtarja më e lehtë nga vazoja e dytë derisa duhet shmangur përballja me Çekinë.
‘’Kosova po kalon një formë shumë të mirë dhe ky është momenti ynë. Shpresoj që kjo formë të na shoqërojë edhe në muajin mars, kur zhvillohen ndeshjet finale për kualifikimin në Botëror. Uroj që atëherë të jemi po aq mirë sa tani dhe që lojtarët tanë të jenë në formën e tyre optimale, sepse besoj se këto rezultate pozitive po i arrijmë falë paraqitjeve të mira të lojtarëve në klubet e tyre.
Në realitet kemi kundërshtarë të fortë dhe të ndryshëm, por mendoj se do ta kemi më të lehtë ta kalojmë Sllovakinë. Kundërshtarët që na presin në finale, nëse kualifikohemi nga ky raund, janë të një niveli më të lartë, por shpresoj të kemi fat dhe të arrijmë ta bëjmë realitet ëndrrën e kualifikimit.
Në rundin e parë mendoj që duhet shmangur kombëtaren e Çekisë sepse kanë eksperienc më shumë ndërsa për stilin e lojës dhe vështirësinë mendoj që edhe Uellsi është skuadër zor e kalueshme.’’, deklaroi Granit Begolli për IndeksOnline.
Në anën tjetër, analisti dhe trajneri, Arsim Prepolli, tha se nuk e kishte pritur këtë sukses të Kosovës në kualifikueset e Botërorit, por dëshira e tij është që Kosova të përballet me Sllovekinë ose Çekinë.
Ai shpreson që Kosova të ketë në dispozicion të gjithë futbollistët për këto dy ndeshje të rëndësishme dhe të mos pësojnë lëndime.
‘’Të them të drejtën, unë personalisht nuk e kam pritë që këtë grup Kosova do të jetë në vendin e dytë, kjo është një ngritje shumë e madhe e Kosovës, për kundërshtar të gjithë janë kualitativ por prapë kisha pas dëshirë që Sllovakia ose Çekia. Por më e rëndësishmja është që në mars ti kemi të gjithë lojtarët në dispozicion, të lutemi mos të kemi lëndime, kjo ka shumë rëndësi.’’, deklaroi Arsim Prepolli për IndeksOnline.
Intervistë nga gazetari, Gjelbrim Shabani.

