75 Mall Live Search
18:36 / E Mërkurë, 30 Korrik 2025 / Z S

Nesër shpallet aktgjykimi për krime lufte ndaj ushtarit të grupit të Arkanit Milosh Pleskoviq

Në Gjykatën Themelore në Prishtine nesër (31 korrik) në orën 10:00 do të shpallet aktgjykimi ndaj Milosh Pleskoviqit, i akuzuar për krime të luftës në Prizren.

Pleskoviq po akuzohet se gjatë vitit 1998-‘99 në Prizren në bashkëkryerje me një grup serbësh të armatosur kishin vrarë tre civilë shqiptarë dhe plagosur disa të tjerë

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale e ngritur më 7 qershor 2024, thuhet se Millosh Pleskoviq gjatë vitit 1998-’99  në Prizren, në bashkëkryerje me person tjerë, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare kundër personave civilë, duke kryer vrasjen e viktimave.

Sipas aktakuzës, Pleskoviq duke funksionuar si grup i armatosur me 7-8 persona të nacionalitetit serb, më 1 shtator 1998 në Prizren derisa ishin duke shkuar për në malin e tyre viktimat R.D., B.D., F.B., së bashku me të dëmtuarit Fevzi Cana, Xhenger Cana dhe Bashkim Kastrati, fillimisht janë ndalë papritmas nga grupi i armatosur serb, të cilët më pas janë fyer me fjalë serbe, e që në mesin e atij grupi të armatosur serb ishte parë edhe i akuzuari Pleskoviq.

Në një moment, sipas aktakuzës thuhet se Pleskoviq kishte filluar të gjuajë me armë të tipit “Kallashnikov”, ku nga të shtënat në vendin e ngjarjes kishin mbetur të vrarë R.D., B.D., dhe F.B., kurse të dëmtuarit Xhenger Cana, Fevzi Cana dhe Bashkim Kastrati kishin shpëtuar.

Tutje, në aktakuzë thuhet se familjarëve të të ndjerëve u ishte lejuar që t’i marrin trupat e tyre pas një jave nga vrasja, ku thuhet se trupat e R., dhe B.D., ishin vendosur mbi njëri-tjetrin, kurse njëri nga ta e kishte këmbën e prerë, ndërkaq viktima F., nuk e kishte kokën në trup.

Andaj, për këto veprime Pleskoviq po ngarkohet për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile” e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë si ligj në fuqi në kohë e kryerjes së veprës penale./Indeksonline/