Nesër skadon afati i masës së përkohshme, Kushtetuesja mund të dalë sot me njoftim

Gjykata Kushtetuese e Kosovës pritet të dalë me një njoftim sot ose më së largu nesër në lidhje me vendimmarrjen për seancën konstituive të kuvendit, derisa masa e përkohshme skadon, më 30 shtator.
Sipas njohësve të sistemit të drejtësisë, njoftimi mund të publikohet sot, ndërsa aktgjykimi i plotë nesër kur edhe skadon masa e përkohshme, transmeton IndeksOnline.
Portali ka dërguar pyetje edhe në Gjykatën Kushtetuese për mundësinë e publikimit të njoftimit para 30 shtatorit. Nga kjo gjykatë janë përgjigjur se “kërkesa e Listës Serbe është duke u shqyrtuar dhe se për çdo vendim do të njoftohen me kohë palët e përfshira, si dhe qytetarët”.
Kushtetuesja kishte vendosur masë të përkohshme pas ankesës së Listës Serbe, e cila pasoi hedhjen në votim ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të kuvendit nga komunitetet pakicë joserbe dhe serbe nga kryeparlamentari Dimal Basha. Përfaqësuesja e komuniteteve joserbe, Emilija Rexhepi, u zgjodh nënkryetare, ndërsa dhjetë deputetët e komunitetit serb, përfshirë Nenad Rashiqin, nuk arritën të siguronin 61 votat e nevojshme për ta marrë këtë post.
Ky vendim pritet të qartësojë hapat e ardhshëm për formimin e plotë të institucioneve të reja./IndeksOnline/