75 Mall Live Search
23:38 / E Premte, 18 Korrik 2025 / MSH

Nesër takohen Kurti dhe Limaj, a po konstituohet Kuvendi në seancën “jubilare”?

Albin Kurti dhe Fatmir Limaj pritet të takohen pasditen e nesërme.

Teksa paradite do të mbahet seanca e 49-të konstituive, nga NISMA kanë konfirmuar se marrëveshja potenciale mes dy partive për të bërë koalicion do të mund të nxirrte vendin nga ngërçi politik ditën e hënë, kur do të mbahet seanca e 50-të me radhë, jubilarja.

“Ne qëndrojmë me kërkesën tonë – që mendojmë se është e arsyeshme – për pozitën e kryetarit të Kuvendit. Votat i kemi. Nëse propozohet emri i Fatmir Limajt, atëherë të hënën mund të konstituohet Kuvendi”, ka thënë Xhevahire Izmaku për Radion Evropa e Lirë.

Sipas saj, deri më tani nuk ka ndonjë sinjal të qartë nga Lëvizja Vetëvendosje se mund të arrihet një marrëveshje me Nismën Socialdemokrate, por “ekziston një ambient pozitiv”.

Kujtojmë se sot gjatë ditës, me Limajn u takua edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

“Ky takim vjen në prag të përfundimit të afatit kushtetues të përcaktuar me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO124/25, i cili obligon deputetët që të konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve, konkretisht deri më 26 korrik.

Presidentja Osmani theksoi se zbatimi i këtij aktgjykimi është detyrim i qartë kushtetues dhe potencoi rëndësinë që të gjithë përfaqësuesit e qytetarëve të veprojnë në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, me qëllim të arritjes së një zgjidhjeje sa më të shpejtë për konstituimin e Kuvendit, në interes të qytetarëve dhe funksionimit demokratik të shtetit” deklaroi Presidenca, pas përfundimit të takimit.