75 Mall Live Search
20:11 / E Diele, 21 Shtator 2025 / F.R

Nesër vazhdon gjykimi në rastin e Liridona Ademajt

Nesër pritet që të vazhdojë gjykimi në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Kështu ka bërë të ditur vëllai i të ndjeres, Leonard Ademaj, i cili tha se seanca do të nisë nga ora 09:00, teksa i ka ftuar mediat që të jenë prezente.

“Ju njoftojmë se vazhdimi i gjykimit në rastin e vrasjes së më të dashurës tonë Liridona Ademaj vazhdon nesër ne ora 09.00.  Shpresojmë që mediat do ta përcjellin seancën”, shkroi Ademaj.

Seanca e fundit në rastin e Liridona Ademajt ishte mbajtur më 14 korrik të këtij viti, ku pati dëshmuar pikërisht Leonard Ademaj, vëllai i të ndjerës.

Në fjalën e fundit me të përmbyllur dëshminë e tij, në rastin e vrasjes së motrës së tij Liridonës, ai kërkoi para trupit gjykues dënim kapital për dorasin.

Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor të vitit 2023, në Bërrnicë të Prishtinës. Në mesin e të dyshuarve është edhe ish-bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

Dyshohet se ai i kishte premtuar Granit Plavës, 30 mijë euro për ta kryer krimin e rëndë, ndërsa, i arrestuari tjetër për këtë rast është edhe Kushtrim Kokalla.