75 Mall Live Search
10:08 / E Martë, 21 Prill 2020 / indeksADMonline

Netanyahu dhe Gantz arrijnë marrëveshje për qeveri të unitetit

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe rivali i tij kryesor politik, Benny Gantz, kanë arritur marrëveshje për formimin e një qeverie të unitetit, duke i dhënë fund një krize politike njëvjeçare, që e çoi vendin në zgjedhje tri herë brenda një moti.

Sipas një kopjeje të marrëveshjes për ndarjen e pushtetit, Netanyahu, i cili tash për tash është kryeministër në detyrë, do të mbetet në këtë pozitë për 18 muajt e ardhshëm, ndërsa më pas ia dorëzon postin Gantz-it për 18 muajt e tjerë gjatë mandatit 3-vjeçar të qeverisë së unitetit.

Arritja e kësaj marrëveshjeje ishte një pikë e madhe kthese për Netanyahu-n, i cili përballej me tri akuza për korrupsion dhe rezultat jo shumë të mirë në zgjedhje, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Ai tash pritet të mbetet në pushtet gjatë tërë procesit gjyqësor në lidhje me akuzat për korrupsion dhe të ketë ndikim të konsiderueshëm për emërimin e zyrtarëve të lartë në sistemin e drejtësisë. Në anën tjetër, partia e rivalit politik do ta marrë gjysmën e ministrive, përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Disa minuta pas arritjes së marrëveshjes, Netanyahu e publikoi në Tëitter një fotografi të flamurit të Izraelit, kurse Gantz-i tha se e ka shmangur mbajtjen e zgjedhjeve të katërta me radhë përmes këtij pakti.