12:25 / E Mërkurë, 29 Janar 2020 / indeksADMonline

Netanyahu: Kryeqyteti i Palestinës, do të jetë Abu Disi

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka njoftuar se, sipas të ashtuquajturit plani paqësor amerikan për Lindjen e Mesme, kryeqyteti i Palestinës duhet të jetë Abu Disi, ndërsa konfirmohet se Kudsi është kryeqytet i pandarë i Izraelit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mbrëmë në Shtëpinë e Bardhë prezantuan të të ashtuquajturin plani i paqes për Lindjen e Mesme, gjë që shkaktoi mospajtim të bujshëm të palestinezëve.

Televizioni izraelit Makan 33 raporton se Netanyahu në mënyrë shtesë zbuloi se plani parashikon që kryeqyteti palestinez të jetë vendbanimi Abu Dis, i vendosur në periferi të Kudsit.

“Izraeli do të dominojë në të gjitha vendbanimet hebreje në Bregun Perëndimor”, tha Netanyahu.

Ai po ashtu tha se SHBA-ja u ka vendosur kushte palestinezëve për fillimin e bisedimeve, përfshirë edhe njohjen e detyrueshme të shtetit hebre, njohjen e sovranitetit të Izraelit në Kuds dhe heqjen dorë nga e drejta e kthimit të refugjatëve palestinezë.

Netanyahu tha se SHBA-ja u kërkon palestinezëve të çarmatosin Gazën, të pezullojnë pagesat për familjet e palestinezëve të arrestuar dhe të vrarë. Gjithashtu kërkohet që palestinezët të ndalojnë ngritjen e padive kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare Penale, ndërsa Palestina nuk do të jetë në gjendje të bëhet anëtare e organizatave ndërkombëtare pa miratimin e Izraelit.

“Në të njëjtën kohë, Izraeli do të imponojë ligjet e tij në Luginën e Jordanit, në të gjitha vendbanimet hebreje në Judea dhe Samaria dhe në të gjitha zonat që i përkasin Izraelit sipas planit”, tha Netanyahu.

Ai theksoi se Izraeli premtoi të mos ndërtojë vendbanime të reja hebreje në 4 vitet e ardhshme, as të zgjerojë ato ekzistuese në Zonën C në Bregun Perëndimor të okupuar.

Trumpi dhe Netanyahu mbrëmë zbuluan përmbajtjen e të ashtuquajturit plani i paqes në Lindjen e Mesme, për të cilin Trumpi tha se “është shansi i fundit për palestinezët dhe shtetin e pavarur palestinez”.

Plani ka shkaktuar pakënaqësi të madhe te pala palestineze. Lëvizjet e rezistencës Fatah dhe Hamas kundërshtuan planin e propozuar dhe shpallën rezistencë. Protesta masive u mbajtën mbrëmë në shumë qytete palestineze dhe në Jordani.