Netanyahu përplaset përsëri me shefin e ushtrisë: S’ka marrëveshje për pengjet, Trump më bindi për këtë

Kryeministri Benjamin Netanyahu refuzoi të lejonte zhvillimin e një votimi për një marrëveshje të propozuar për pengjet dhe armëpushim, në një mbledhje të tensionuar të kabinetit që zgjati deri në orët e para të mëngjesit të së hënës.
Siç shkruan “The Times of Israel”, në këtë mbledhje Netanyahu tha se marrëveshja nuk ishte në tryezë dhe shtoi se presidenti amerikan Donald Trump e kishte nxitur të mos e pranonte atë.
Ky qëndrim i Netanyahut erdhi pavarësisht presionit nga ministrat e ekstremit të djathtë që kërkonin të zhvillohej një votim për ta refuzuar zyrtarisht marrëveshjen, ndërkohë që shefi i shtabit të ushtrisë izraelite (IDF) dhe disa ministra të kabinetit ishin pro pranimit të saj. Kështu shkruan media izraelite, duke iu referuar disa burimeve nga mbledhja e zhvilluar me dyer të mbyllura deri të hënën në mëngjes.
Mbledhja e kabinetit të sigurisë në Tel Aviv, e cila zgjati afro gjashtë orë, ishte përqendruar pothuajse tërësisht te planet e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit për të marrë nën kontroll qytetin e Gazës.
Qeveria ka avancuar me këtë plan javët e fundit, pavarësisht se Hamasi kishte deklaruar disa javë më parë se kishte rënë dakord për një marrëveshje për pengjet me faza, pothuajse identike me një marrëveshje që Izraeli e kishte miratuar më parë. Ndërkohë, Jeruzalemi kishte hequr dorë nga marrëveshjet me faza, duke kërkuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse për kthimin e të gjithë pengjeve në një herë të vetme dhe dorëzimin e Hamasit.
Sipas raportimeve, shefi i shtabit të IDF-së, gjeneralmajor Eyal Zamir, i cili besohet të jetë kundër planit për marrjen e qytetit të Gazës, insistoi që çështja e marrëveshjes së propozuar të diskutohej, edhe pse nuk ishte në rendin e ditës.
Marrëveshja, të cilën Hamas tha se e kishte pranuar më 18 gusht, parashikonte lirimin e 10 pengjeve të gjalla dhe kthimin e trupave të 18 pengjeve të vdekur, në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve palestinezë për siguri dhe rreth 1 mijë të ndaluarve nga Gaza, si dhe një armëpushim 60-ditor, gjatë të cilit do të zhvilloheshin negociata për lirimin e 20 pengjeve të mbetura, nga të cilat besohet se 10-12 janë ende gjallë, si dhe për përfundimin përfundimtar të luftës.
Zamir u tha anëtarëve të kabinetit: “Ka një marrëveshje mbi tryezë, duhet ta pranojmë,” sipas “Channel 12”, e cila raportoi se po të mos e kishte ngritur çështjen Zamir, kjo temë nuk do të ishte diskutuar fare në mbledhje