Netanyahu tregon se çka i jep fund luftës në Gaza

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi sot se eliminimi i udhëheqësve të Hamasit që jetojnë jashtë Gazës, përfshirë ata në Katar, do të hapte rrugën për përfundimin e luftës dhe lirimin e pengjeve izraelite.
“Udhëheqësit terroristë të Hamasit që jetojnë në Katar nuk interesohen për fatin e popullit të Gazës. Ata kanë bllokuar përpjekjet për armëpushim me qëllim që ta zgjasin luftën për një kohë të pacaktuar. Eliminimi i tyre do të lejonte eliminimin e pengesës kryesore për lirimin e të gjithë pengjeve tona dhe përfundimin e luftës,” shkroi Netanyahu në një postim në platformën X (ish-Twitter), pas raportimeve për sulme ajrore në Doha.
Ndërkohë, familjet e pengjeve izraelite kanë reaguar ashpër ndaj deklaratës së Kryeministrit, duke e akuzuar atë se është vetë pengesa kryesore për përfundimin e konfliktit.
“Operacioni që u zhvillua në Katar dëshmoi pa asnjë dyshim se ekziston një pengesë për kthimin e pengjeve dhe përfundimin e luftës: Kryeministri Netanyahu. Sa herë që është gati të arrihet një marrëveshje, Netanyahu e saboton atë”, thuhet në një deklaratë të Forumit të Familjeve të Pengjeve.