Netanyahu zbulon planin e tij për Gazën pas përfundimit të luftës

Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se Izraeli do të ketë përgjegjësi për sigurinë për Rripin e Gazës “për një periudhë të pacaktuar” pas përfundimit të luftës kundër Hamasit.
“Unë mendoj se Izraeli për një periudhë të pacaktuar do të ketë përgjegjësinë për sigurinë, sepse ne kemi parë se çfarë ndodh kur ne nuk e kemi atë.
Kur ne nuk e kemi atë përgjegjësi sigurie, ajo që kemi është shpërthimi i terrorit të Hamasit në një shkallë që nuk mund ta imagjinonim”, tha ai.
Nuk është e qartë se çfarë ka në mendje Netanyahu në lidhje me shkallën e përgjegjësisë së sigurisë, por zyrtarët izraelitë kanë këmbëngulur se ata nuk dëshirojnë të pushtojnë Gazën pas luftës.
Sipas dokumentit, i cili iu prezantua anëtarëve të kabinetit të sigurisë të Izraelit të enjten dhe u pa nga Reuters, Izraeli do të mbajë kontrollin e sigurisë mbi të gjithë territorin në perëndim të Jordanisë, duke përfshirë Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Gazën, territoret ku palestinezët duan të krijojnë një shtet i pavarur.
Në qëllimet afatgjata të planit, Netanyahu refuzon “njohjen e njëanshme” të një shteti palestinez. Ai thotë se një zgjidhje me palestinezët do të arrihet vetëm përmes negociatave të drejtpërdrejta midis dy palëve por nuk thotë se kush do të përfaqësojë palën palestineze.
Netanyahu propozon që Izraeli të vendosë trupa në kufirin Gaza-Egjipt në pjesën jugore të enklavës dhe të punojë me Egjiptin dhe Shtetet e Bashkuara në atë zonë për të parandaluar përpjekjet e kontrabandës, duke përfshirë vendkalimin e Rafah./abcnews.al
Për të zëvendësuar sundimin e Hamasit në Gaza duke ruajtur rendin publik, Netanyahu sugjeron të bashkëpunojë me përfaqësuesit lokalë “që nuk janë të lidhur ose të mbështetur financiarisht nga vendet apo organizatat terroriste”.
Ai bën thirrje që agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë UNRËA të mbyllet dhe të zëvendësohet nga organizata të tjera ndërkombëtare të ndihmës.