Netflix e konfirmon: Po rikthehet seria ikonike vizatimore

Pas më shumë se dy dekadash nga debutimi i saj, seria ikonike vizatimore Winx Club po rikthehet në ekran, këtë herë në një format të ri dhe me premtime për aventura të freskëta. Netflix konfirmoi se seriali i ri, me titull “The Magic Is Back”, do të nisë më 2 tetor, duke ngjallur nostalgji te fansat e vjetër dhe kuriozitet te brezi i ri.
Për ata që janë rritur me historitë e Bloom, Stella, Flora dhe mikeshave të tyre në Shkollën e Zanave Alfea, ky rikthim përfaqëson një mundësi për t’u zhytur sërish në botën magjike të zanave dhe betejave të së mirës kundër së keqes.
Netflix ka zgjedhur një qasje të re vizuale, seriali do të jetë në CGI, duke sjellë një stil më modern, por pa humbur frymën e origjinalit që u transmetua për herë të parë në vitin 2004 dhe vazhdoi deri më 2019.
Ky projekt vjen pas përpjekjes jo shumë të suksesshme për një version live-action (Fate: The Winx Saga), i cili u anulua pas dy sezoneve. Këtë herë, Netflix premton t’i qëndrojë më afër ADN-së së Winx Club, me histori që theksojnë miqësinë, kurajon dhe fuqinë e brendshme.
Ndër surprizat e serialit është edhe një këngë e re nga Virginia Bocelli, vajza e tenorit të famshëm Andrea Bocelli, e cila do të shoqërojë premierën.
Pavarësisht disa polemikave të mëhershme për ndryshimet në përfaqësim racor të personazheve, “The Magic Is Back” synon të rikthejë shkëlqimin që dikur e bëri Winx Club një fenomen global.