75 Mall Live Search
21:28 / E Martë, 02 Shkurt 2021 / OSH

Nexhmedin Spahiu për vizitën e Kurtit në Skenderaj: Krijimi i zonave të ndaluara për politikanë të caktuar nuk guxon me ndodh

Vizita e lideri të Vetëvendosjes, Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme në Skenderaj u përcoll me tensione. Disa qytetarë atje me thirrje të shumta e me gjuajte vezësh iu kishin drejtuar Kurtit dhe anëtarëve e aktivistëve të Vetëvendosjes, të cilët po mbanin një tubim në kuadër të fushatës parazgjedhore.

Tërë situata e krijuar më pas nga zyrtarë të PDK-së, e që Skenderaj njihet si bastion i kësaj partie, është konsideruar si provokim nga Kurti dhe partia e tij.

Mirëpo njëson nuk mendon edhe analisti politik Nexhmedin Spahiu. Ai për IndeksOnline ka thënë se jo vetëm PDK-ja ka elektorat në Skenderaj dhe se vizita e Kurtit atje nuk mund të quhet provokim.

Deklaratat e Kurtit në të kaluar për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe zyrtarë të tjerë të PDK-së, sipas Spahiut nuk do të duhej të përbënin provokim ndaj qytetarëve të Skenderaj, meqë të tilla kemi pasur në të kaluarën edhe nga këta zyrtarë në drejtim të Kurtit.

Madje krijimi i zonave të ndaluara për politikanët kosovarë sipas tij është një gjë që nuk guxon të ndodhë.

“S’ka lënë gjë keq pa e shah as Albin Kurtin. Krijimi i zonave të ndaluara për politikanë të caktuar nuk është një gjë që guxon me ndodh në vend, kjo është e papranueshme. Një vizitë e tillë nuk duhet me konsideru provokim, duhet me qenë një gjë normale”, tha Spahiu.

Nga ana tjetër vizitën në Mitrovicën e Veriut që Kurti i shoqëruar nga u.d. e presidentes Vjosa Osmani, e kishte realizuar gjatë vikendit, Spahiu e ka quajtur si një vizitë që duhet të realizohet për të përçuar dhe dhënë mesazhe të nevojshme për qytetarët.

“Provokimi është ajo që ndodhi në jug të Mitrovicës,  kur aktivistët e PDK-së e rrethuan vendin ku u mbajt tubimi i Vetëvendosjes, madje disa u futën në sallë për ta ndërprerë tubimin, ajo është provokim, nuk është provokim shkuarja në një vend të caktuar gjeografik në kohë fushate. Normale edhe politikanët tanë duhet të shkojnë në veri për të dhënë mesazhet për të cilat ka nevojë vendi”, nënvizoi Spahiu.

Ndryshe vizita e Kurtit në Skenderaj gjatë ditës së djeshme është kundërshtuar ashpër nga zyrtarët e lartë të PDK-së./IndeksOnline/