Nexhmi Rexhepi: Kushtetuesja po e forcon demokracinë dhe shtetin e së drejtës

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka zgjidhur çështje dhe vendosur standarde të rëndësishme në forcimin e demokracisë e shtetit të së drejtës, ligjit e mbrojtjes së të drejtave të njeriut duke afirmuar vlerat e parimet kushtetuese pas gati 16 vjet të funksionimit të saj.
Kështu u tha sonte në ceremoninë solemne të pranim-dorëzimit të detyrës nga kryetarja e deritanishme e Gjykatës Kushtetuese Gresa Caka-Nimani te kryetari i zgjedhur Nexhmi Rexhepi.
Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore, të sistemit gjyqësor e prokurorial, përfaqësues të misioneve diplomatike në vend, organizatave vendore dhe të huaja, të akademisë dhe shoqërisë civile.
Gresa Caka- Nimani derisa ka uruar kryetarin e përzgjedhur për pozitën, ka thënë se i njëjti do të merr barrën e drejtimit të këtij institucioni në ballafaqimet me sfidat dhe shënimin e arritjeve të reja.
“Sot i dorëzohet detyra një gjenerate të re, kryetarit të ri të Gjykatës që do të merr barrën e drejtimit të këtij institucioni në ballafaqimet me sfidat dhe shënimin e arritjeve të reja. Ky tranzicion që kalon nëpër të kaluarën, të tashmen dhe orientohet nga e ardhmja nuk duhet assesi të nënkuptohet në lidhje me individin, por me fazat zhvillimore dhe ciklin jetësor të institucionit… Gjykata ka ndërtuar një kulturë organizative dhe traditë vendimmarrëse që nuk ndërlidhet me plotësimin e pritjeve momentale të asnjë pale e as opinionit publik, por me zhvillimin e drejtësisë kushtetuese, me zhvillimin e shtetit të së drejtës. Me idenë parësore që të qëndruarit besnik Kushtetutës dhe avancimit të reputacionit të Gjykatës të shtrirë në kohë, përfshirë në forume ndërkombëtare të drejtësisë kushtetuese duke i shërbyer kështu paraqitjes me dinjitet dhe përforcimit të identitetit e reputacionit të Republikës së Kosovës. Me besimin e plotë dhe pasionin e pashtershëm për të mbrojtur dhe lartësuar një Kushtetutë që simbolizon shtetin sovran”, ka thënë Cakaj.
Ndërsa është shprehur mirënjohëse që ka pasur mundësinë të adresojë sfidat e kësaj gjykatë për vite, Caka-Nimani ka thënë se mbrojtja e Kushtetutës është akti më i lartë i patriotizmit të çdo qytetari të Republikës sonë./Indeksonline/