Nezir Mehmetaj që 3 vite e 3 muaj po mbahet në burg në Serbi, gjykata i vazhdon paraburgimin deri në prill

Nezir Mehmetaj, që 3 vite e 3 muaj po mbahet në burg. Ai është arrestuar në Serbi, nën dyshimet për krime të luftës ku po vazhdon mbahet. Sipas familjarëve të tij në seancën e fundit të mbajtur në muajin janar i është vazhduar masa e paraburgimit deri në muajin prill. Valon Mehmetaj vëllai i Nezirit tregon për “IndeksOnline” se pavarësisht shpenzimeve mijëra euro për mbrojtjen e tij, ai vazhdon të mbetet në paraburgim. Shpresat e familjes mbesin tek shteti.
Mehmetaj e mirëpret vendimin e Ministrisë së Drejtësisë që sipas njoftimit të vet ministres Albulena Haxhiut, ajo ka treguar se javën e kaluar ka kërkuar nga Ministrja e Drejtësisë në Serbi që dy qytetarët tanë t’i transferojë në Republikën e Kosovës. Haxhiu dje përmes një postimi në “Facebook”, e ka publikuar kërkesën që i ka dërguar ministrisë së Drejtësisë të Serbisë.
“Nezir Mehmetaj dhe Petrit Dula mbahen në Serbi mbi pretendimet për kryerjen e krimeve të luftës kundër popullatës civile në Kosovë gjatë vitit 1999. Z.Mehmetaj dhe z.Dula janë qytetarë të Kosovës pra edhe nën mbrojtjen e Republikës. Procesi i deritanishëm ndaj dy qytetarëve të Republikës së Kosovës është i përbërë nga shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, për vite të tëra. Çdo akuzë ndaj tyre për krimet e pretenduara, duhet trajtuar nga organet e drejtësisë në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Haxhiu.
Ndërsa Mehmetaj, thotë se vendimi i ministres është zgjidhja më e mirë .
“Në seancën e fundit të mbajtur në muajin janar iu është vazhduar masa e paraburgimit deri në muajin prill. Unë po mendoj që është zgjidhja më e mirë që kishte me ndodh do të ishte ajo, për shkak se edhe pse nuk ka të bëjë me akuzën jemi mundu në çdo aspekt për me gjetë një opsion duke shpenzuar mijëra euro për mbrojtjen por ende nuk kemi bërë asgjë. As mbështetje financiare s’kemi pasur asgjë edhe pse akuza për ka qenë e krimeve të luftës. Kemi kontakt me vëllain dhe është vizituar nga djali i tij, ka diabet dhe na duhet me ia dërguar terapinë”, tha Valon Mehmetaj./IndeksOnline/
