06:11 / E Shtunë, 07 Tetor 2017 / indeksADMonline

Neziri: Kandidatët shqiptarë për Shkupin pa gjasa

Analisti politik në Maqedoni, Xhelal Neziri ka folur për zgjedhjet lokale të Maqedonisë që do të mbahen më 15 Tetor.

“Unë mendoj se gjithë partitë shqiptarë që nxjerrin kandidat për Shkupin, i nxjerrin sa për të nxjerrë sepse nuk kanë gjasë minimale”.

“Nuk ka të profilizuar asi figura politike që do të merrnin vota edhe nga maqedonasit, jemi mbyllur në guacat etnike, kemi terrenin tonë etnik dhe aty zhvillohet lufta e ashpër mes partive politike”.

Neziri që është i ftuar në Analiza për Maqedoninë në Klan Kosova ka thënë se partitë shqiptare duhet të transformoheshin qysh pas zgjedhjeve parlamentare.

“Nga zgjedhjet e kaluara, LSDM-ja prishi këto matematika dhe sikur imponoi rregulla të reja, kemi tentim për transformim të VMRO-DPMNE-së nga parti nacionaliste në të djathë qytetare, ndërkohë që këtë transformim asesi ta bëjnë partitë shqiptare”.

“Transformimi i partive politike shqiptare duhet të ndodhte pas zgjedhjeve parlamentare se u pa që nuk është më problem që një shqiptar etnik të votojë një parti që nuk është etnike, siç është LSDM-ja”.