75 Mall Live Search
23:08 / E Diele, 06 Prill 2025 / FR

Nga 12 serbët e arrestuar në Prizren, dy u ndaluan për prezantim të rremë si pjesëtarë të MUP-it

Dy shtetas të Serbisë janë ndaluar nga Policia e Kosovës në Prizren, nën dyshimin se janë prezantuar rrejshëm si persona zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP).

Në lidhje me këtë rast, zëdhënës i policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi ka bërë të ditur se pas intervistimit,  dhjetë persona janë liruar, ndërsa dy të tjerët janë ndaluar pasi u prezantuan siç tha ai, si pjesëtarë të MUP-it serb.

Gashi, gjithashtu bëri të ditur se është lëshuar aktvendim për ndalim 48 orësh për dy të dyshuarit.

“Sot, më 06.04.2025, rreth orës 12:00, tri vetura me targa serbe, në të cilat ndodheshin 12 persona – shtetas të Serbisë – janë ndaluar te ura e ‘Arastës’. Personat dhe veturat janë kontrolluar dhe më pas janë shoqëruar në stacionin policor në Prizren për legjitimim dhe intervistim. Pas intervistimit, dhjetë persona janë liruar, ndërsa dy të tjerët janë ndaluar pasi u prezantuan si pjesëtarë të MUP-it serb, por nuk kishin asnjë dokumentacion që e dëshmonte një gjë të tillë”, thuhet tutje në konfirmim.

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme ministri Sveçla, ka zbuluar detaje të një operacioni të gjerë të realizuar nga organet e sigurisë së Kosovës, ku më 5 dhe 6 prill 2025 janë ndaluar gjithsej 16 persona, të cilët po udhëtonin me katër vetura me targa të qytetit të Kragujevcit të Serbisë.

Sipas tij, nga të dhënat paraprake dyshohet se këto grupe kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme në territorin e Republikës së Kosovës.

Ai theksoi se ka prova që dëshmojnë ndërlidhjen e tyre me “strukturat e inteligjencës ushtarake serbe dhe me anëtarë të grupit terrorist që kreu sulmin në Banjskë.”

Ndërsa nga hetimet paraprake njëri nga të arrestuarit është i dyshuari kryesor për vrasjen e rreshterit policor të Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Hetimet paraprake kanë konfirmuar se një zyrtar i policisë serbe me gradë të togerit policor, ka lidhje të afërta familjare me anëtarin e grupit terrorist të Banjskës, Nemanja Radivojevic, nofka “Gandi”. Ky i fundit është i afërt i Vladimir Radivojevic, nofka “Mami”, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e rreshterit policor të Kosovës, Afrim Bunjaku.  Zyrtari tjetër ushtarak, i cili bartë gradën e kapitenit të klasit të parë, është lidhje e ish-gjeneralit të inteligjencës ushtarake serbe, Jovan Milanovic, i njohur për përfshirjen në rrjedhjen e të dhënave të NATO-s para bombardimeve mbi caqet serbe”, ka thënë Sveçla./IndeksOnline/