75 Mall Live Search
08:27 / E Enjte, 16 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Nga 160 mijë refugjatë, BE ka pranuar vetëm 31 mijë e 500

Të dhënat e Bashkimit Evropian (BE) mbi planet për vendosjen e refugjatëve në vendet anëtare dëshmojnë se BE-ja vazhdon të mos i përmbushë premtimet e saj për vendosjen e refugjatëve.

 

Komisioni i BE-së ka publikuar raportin “Axhenda e BE-së për migracionin: Përforcimi i suksesit të arritur”, ku janë të paraqitura informacione për vendimin e BE-së për të vendosur 160 mijë refugjatët që ndodhen në Itali dhe Greqi në vendet e anëtare të BE-së, si dhe informacione rreth numrit të refugjatëve që duhet të zhvendosen nga Turqia në vitin 2016 në kuadër të marrëveshjes BE-Turqi.

 

Në muajin shtator të këtij viti përfundoi afati i Komisionit të BE-së, e cila në vitin 2015 premtoi se deri në këtë kohë do të zhvendos në vendet anëtare 160 mijë refugjatët që ndodhen në Itali dhe Greqi. Vendeve anëtare që nuk i përmbushën kuotat e tyre për pranimin e refugjatëve iu bë thirrje që të vazhdojnë të pranojnë refugjatë.

 

Në raport thuhet se vendet anëtare kanë pranuar 31 mijë e 500 refugjatë, si dhe theksohet se Çekia pranoi 12 refugjatë, ndërsa Hungaria dhe Polonia nuk kanë pranuar refugjatë.

 

Anëtar i Komisionit të BE-së për Migracion, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, i cili në një konferencë shtypi prezantoi raportin, deklaroi se: “Shpresoj që Hungaria, Polonia dhe Çekia të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre në lidhje me refugjatët dhe të fillojnë të pranojnë refugjatë”.

 

Premtimet e dhëna ndaj Turqisë nuk janë përmbushur

 

Sipas marrëveshjes për refugjatët të nënshkruar mes BE-së dhe Turqisë në vitin 2016, vendet anëtare duhej të pranonin 72,000 refugjatë nga Turqia, por sipas të dhënave të publikuara në raport numri i refugjatëve të cilët janë zhvendosur nga Turqia në BE është vetëm 11,354.

 

Ndër të tjera, në raport theksohet se marrëveshja për refugjatët BE-Turqi ka ofruar mundësi për t’u ballafaquar në mënyrë efektive me krizën e refugjatëve në Mesdhe dhe se marrëveshja vazhdon të japë rezultate konkrete duke reduktuar numrin e refugjatëve të paligjshëm dhe duke reduktuar në përmasa serioze kalimet ilegale në Detin Egje.

 

Gjithashtu në raport thuhet se në kuadër të marrëveshjes së refugjatëve, BE-ja deri në fund të vitit do ti transferojë Turqisë shumën prej 3 miliardë euro. Por, sipas raportit që komiteti ekzekutiv i Komisionit të BE-së ka publikuar më 11 nëntor, mësohet se BE-ja nga fondi 3 miliardë euro që ka premtuar të sigurojë për refugjatët sirianë në Turqi, ka transferuar vetëm 908 milionë euro.