Nga 17 nëntori 2001 te 9 shkurti 2025

Opinion nga Teuta Krasniqi
Po të kthehemi në një retrospektivë politike, përkatësisht në vitin 2000, shohim ndryshime të mëdha në skenën politike të Kosovës. E ndarë në dy blloqe, LDK dhe disa parti të vogla përreth saj, në njërën anë, dhe dy parti të krijuara si rezultat i transformimit të UÇK-së, PDK dhe AAK, me disa parti të vogla në gjirin e tyre, spektri politik i Kosovës për vite me radhë ishte bukur shumë i trazuar, sado që pesha kryesore e pushtetit ishte në duart e faktorit ndërkombëtar.
Të krijuara në rrethana historike për vendin, këto subjekte dhe lideret themeltarë të tyre konsiderohen historikë, me peshë të veçantë përcaktuese në proceset vendimtare politike. Nën kujdesin e një pjese të faktorit ndërkombëtar, për disa vite me radhë LDK arriti të ruaj dominancën në skenën politike të Kosovës, deri në prag të pavarësisë, kur u trondit nga përplasjet e brendshme pas vdekjes se liderit të saj historik, Ibrahim Rugova.
Procesi i shpalljes së pavarësisë e kërkonte serish rolin përcaktues të drejtuesve të luftës, prandaj në këto rrethana PDK me në krye Hashim Thaçin mori mbështetjen popullore, duke fituar kështu të drejtën për të qenë në krye të këtij procesi, deri në leximin e Deklaratës së Pavarësisë në Kuvendin e Kosovës. Ky akt historik përveç që jetësoi aspiratën e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi dhe vuri bazat e shtetit të dytë shqiptar në Ballkan, betonizoi edhe rolin prijatar dhe mjaft përcaktues të Hashim Thaçit për më shumë se një dekadë në shtetin e krijuar, si kryeministër e si president.
Përgjatë këtyre viteve, duke u profilizuar si oponencë e çdo procesi a veprimi politik që zhvillohej në Kosovë dhe për Kosovën, gradualisht mori shtrirje Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, që pas largimit nga skena politike të krerëve kryesorë të shtetit e të PDK-së, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, duke gjetur terren të hapur, më 2020 së bashku me një krah të LDK-së lehtësisht arriti të fitojë besimin e gjysmës së trupit elektoral në Kosovë e diasporë. Në dy qeverisjet e para në Kosovë, nën administrimin ndërkombëtar, 2001-2004 dhe 2004-2007, institucionet e zgjedhura kishin çuar deri në fund mandatin e tyre, atëbotë trevjeçar, dhe tani, nëse nuk do të sjell fillimvjeshta ndonjë befasi, do të kemi mandatin e tretë të plotë, tani katërvjeçar.
Sipas vendimit të presidentes Vjosa Osmani votuesit kosovarë do t’u drejtohen kutive të votimit më 9 shkurt 2025, për të zgjedhur 120 përfaqësuesit e tyre në Legjislaturën e Nëntë të Kuvendit dhe nëpërmjet tyre edhe qeverisjen ekzekutive. Në krahasim me vitin 2020, kur PDK e LDK ishin në amulli të plotë, e para si pasojë e goditjes që mori me arrestimin e krerëve të saj nga Gjykata Speciale dhe e dyta me pakënaqësitë e theksuara elektorale lidhur me disa hapa politikë të saj, dhe kur Vetëvendosje vinte me bymehje elektorale si pasojë e rrezimit të Qeverisë Kurti 1 në pikun e pandemisë dhe pakënaqësive të akumuluara me subjektet e tjera politike, e diela e 9 shkurtit të vitit të ardhshëm do të rezultojë me një garë të nxehtë midis tri subjekteve kryesore dhe kandidatëve për kryeministër.
Ky proces zgjedhor do të jetë me peshë jo vetëm për Bedri Hamzën dhe Lumir Abdixhikun, por parasëgjithash për kryeministrin dhe liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti. Gjatë gjithë karrierës së tij Kurti ka hyrë në zgjedhje duke ardhur nga pozicione opozitare dhe si rezultat gjithëherë me ngritje votash, ndërsa tani hyn në garë nga pozicioni i kryeministrit pas një qeverisjeje katërvjeçare, sipas tij me shumë suksese dhe sipas opozitës, me dështime të mëdha dhe dëme të konsiderueshme për vendin. Duke u matur për herë të parë me rezultatet konkrete të qeverisjes së tij dhe jo me retorikat opozitare, rezultati zgjedhor i tij dhe i subjektit qe drejton është vështirë i parashikueshëm.
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, vjen nga pozita e të parit të Komunës së Mitrovicës, të fituar me lehtësi në raundin e parë, me një karrierë të suksesshme ministrore dhe po ashtu konsiderohet figura më mobilzuese e PDK-së në rrethanat aktuale.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në anën tjetër, i hyn garës nga pozita mjaft sfiduese, për shkak të rezultatit të ulët që LDK mori në zgjedhjet e fundit dhe do të nevojitet forcë e theksuar mobilizuese për t’iu konkurruar kryeministrit Kurti, me gjithë makinerinë e tij të pushtetit, dhe Bedri Hamzës së PDK-së, subjekt ky që siç e ka dëshmuar në shumë raste, gjen brenda vetes masa të heshtura duke i kthyer ato në forcë lëvizëse me rezultat befasues, siç ndodhi në zgjedhjet e fundit lokale.
Për rrjedhojë, janari dhe shkurti i ftohtë do të jenë mjaft të nxehtë politikisht, duke prodhuar një Kuvend dhe Qeveri që para vetes do të kenë procese sfiduese politike, si në raport me Serbinë, ashtu edhe me zhvillimet e brendshme.