Nga 20 Marsi deri sot 588 të infektuar veç në Prishtinë, 444 raste janë aktive

Bujar Gashi, Drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, përmes një postimi në FB ka folur rreth situatës aktuale në lidhje me pandeminë COVID-19.
Ai ka thënë se bazuar nga të dhënat e IKSHPK, nga data 20 mars deri sot janë 588 raste.
Ky është postimi i plotë i Gashit:
Qytetarë të nderuar,
Kohëve të fundit jemi dëshmitarë të rritjes së shpejtuar të rasteve me #covid19 në vend e në veçanti në Prishtinë.
Bazuar në të dhënat e marra nga IKShP dhe raportin e konsoliduar nga Shtabi Emergjent në Prishtinë del se momentalisht, që nga data 20 Mars deri sot kemi 588 raste me #covid19 prej të cilave 444 raste janë ende aktive. Kemi 141 raste të shëruara dhe 3 raste që kanë përfunduar me fatalitet.
Statistikat tregojnë se nga totali prej 588 rasteve janë 293 femra dhe 295 meshkuj.
Prandaj, ju bëjmë thirrje që të i zbatoni të gjitha udhëzimet për masat mbrojtëse kundër #covid19. Mbajtja e distances fizike dhe e maskës, si dhe higjiena e duarve ndihmon në parandalimin e përhapjes së virusit.
E kemi obligim që të mbrojmë veten dhe të tjerët rreth nesh!
