11:08 / E Martë, 21 Korrik 2020 / indeksADMonline

Apeli rrit dënimet për 3 të të akuzuarit për vrasjen në Lumin Sitnica, nga 5 në 15 vjet

Gjykata e Apelit ua ka ashpërsuar dënimet tre të të akuzuarve për vrasjen në Lumin Sitnica” në Vushtrri.

Liburn Ajazaj, Rejhan Ajazaj dhe Qëndrim Xhakolli, nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës, më 6 gusht 2017, për motive të ulëta dhe në mënyrë mizore, në bashkëkryerje, kanë privuar nga jeta Kujtim Mehollin.

Njoftimi i plotë i Gjykates:

Të akuzuarve për veprën penale vrasje e rëndë në bashkëkryerje, u ashpërsohen dënimet me burgim

Prishtinë, 21.07.2020 – Gjykata e Apelit,  ka vendosur sipas ankesave, në çështjen penale kundër  të akuzuarve L.A., R.A dhe Q.Xh. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, i datës 23.12.2019, është ndryshuar.

Të akuzuarit L.A. i cili është shpallur fajtor, për shkak të veprës penale në bashkëkryerje “Vrasje e rëndë” nga neni 179 par. 1 nën par. 1.4 dhe 1.8 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës(KPRK) dhe veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”  nga neni 374 par. 1 i KPRK-së, i është ashpërsuar dënimi me burgim nga 18 në 22 vjet.

Të akuzuarës R.A dhe akuzuarit Q. Xh.,  të cilët nga Gjykata e Apelit janë gjetur fajtor për shkak të veprës penale në bashkëkryerje “Vrasje e rëndë”  nga neni 179 par. 1 nën par. 1.4 dhe 1.8 e lidhur me nenin  31 të KPRK-së, u janë rritur dënimet nga 5 në 15 vjet burgim për secilin.

Vendimi u mor pas vlerësimit të gjendjes faktike për të akuzuarit R.A. dhe Q. Xh. si dhe rrethanave lehtësuese dhe renduese  për të tre të akuzuarit. Kolegji i Apelit vlerësoi se ky dënim, është në përputhje me shkallën e përgjegjësisë penale të tyre dhe me intensitetin e rrezikimit të vlerave të mbrojtura të shoqërisë. Gjykata Apelit gjithashtu është e bindur se vendimi mbi dënim do të shërbej për arritjen e qëllimit e në përputhje me nenin 41 të KPPRK-së.