Nga 78 premtimet e bëra, Ardian Gjini ka realizuar vetëm 18

Instituti GAP ka publikuar në platformën elektronike “Letërnjoftimi i Komunave” progresin e kryetarëve të komunave në përmbushjen e premtimeve të dhëna në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2017. Platforma është rifreskuar me informataqë përmbledhë të dhëna nga fillimi i këtij mandati deri në muajin dhjetor të vitit 2019, përkatësisht gjysma e mandatit të kryetarëve aktual të komunave.
Nga gjithsej 903 premtime të evidentuara nga Instituti GAP, deri në muajin dhjetor 2019, komunat kanë përmbushur 304 premtime, 171 premtime rezultojnë gjysmë të përmbushura, 233 premtime kanë filluar të përmbushen ose ka nisma në përmbushjen e tyre, ndërsa për 195 premtime nuk është evidentuar ndonjë nismë komunale në përmbushjen e tyre.
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, nga radhët e AAK-së, nga 78 premtimet e bëra, vetëm 18 i ka realizuar, 19 gjysmë të përmbushura, 19 të filluara e 22 as që i ka nisur, përcjellë Indeksonline.
Deri tashti Gjini ka realizuar këto premtime:
- Publikimi i të gjitha testeve, dokumenteve dhe intervistave të kandidatëve për pozitat e mësimdhënëseve
- Themelimi i komisionit të asoociuar të komunës “Pleqësia e Arsimit” që do të shërbejë si organ i pavarur këshillues
- Mbjellja e fidanëve nëpër oborret e të gjitha shkollave
- Rregullimi i rrugëve Smolicë-Nivokaz dhe rruga Kralan-Shqiponjë
- Zgjidhja e çështjes së ujit të pijes në zonën e “Rekës së Keqe” brenda vitit 2018
- Ndriçimi dhe rregullimi i shëtitores tek Ura e Terzive dhe ajo e Tabakëve
- Shndërrimi i Shkugëzës në një zone rekreative me rreth 8 kilometra shtigje për ecje dhe vrapim
- Janë ndërtuar shtigje për ecje, vrapim dhe çiklizëm, është duke u instaluar ndriçimi në bashkëpunim me KFOR-in.
- Për Bizhtazhin: shtrimi i rrugës nga Ura e Terzive deri tek Kisha Katolike, ndërtimi i urës së Dushve dhe vendosja e ndriçimi rreth shkollës
- Për Zhub: ndërtimi i rrugëve në lagjet Zeneli; Myftari dhe Lagja e re
- Për rajonin e Korenicës: ndërtimi i urës mbi Erenik
- Për Kralan: ndërtimi i urës mbi Bistricë, ndërtimi i pendës dhe kanaleve për ujitje, vendosja e rrethojave dhe rregullimi i terrenit sportiv, shtrimi i rrugëve dhe shtrirja e kanalizimeve
- Për Vraniq: shtrimi i rrugës së Nushve
- Për Rashkoc: shtrirja e rrjetit të ndriçimit publik, shtrimi i rrugës Rashkocit me gjatësi 1km
- Për Osek Pashë: shtrimi i rrugëve në lagjen Markaj
- Instalimi i stacionit për matjen e cilësisë së ajrit në qytetin e Gjakovës
- Vendosja e rregullave strikte për nivelin e zhurmës së kafiterive/klubeve
- Përfshirja e çdo nxënësi të komunës në aktivitete jashtë shkollore së paku tetë ditë në vit, nga dy ditë në secilën stinë