75 Mall Live Search
16:41 / E Enjte, 25 Shtator 2025 / Z S

Nga 9 qershori ka filluar regjistrimi i bizneseve edhe përmes platformës elektronike e-Kosova

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) bën të ditur se tashmë ka filluar regjistrimi i bizneseve edhe përmes platformës elektronike e-Kosova, të bazuar në Vendimin nr.299 të datës 05.06.2025, të nxjerrë nga Drejtorja Ekzekutive në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) se nga data 9 qershor 2025, regjistrimi fillestar i shoqërive tregtare në Republikën e Kosovës do të mundësohet edhe përmes platformës elektronike e-Kosova.

Regjistrimi i shoqërive tregtare përmes platformës e-Kosova do të jetë plotësisht online.

Aplikimi, miratimi i lëndës dhe lëshimi i certifikatës elektronike do të bëhet përmes kësaj platforme, pa pasur nevojë që aplikuesi të paraqitet në sportele të ARBK-së dhe të dorëzojë dokumentet në formë fizike.

Regjistrimi përmes sistemit ekzistues e-Regjistri i Biznesit do të vazhdojë të funksionojë në mënyrë pjesërisht elektronike, ku aplikimi dhe miratimi bëhen online, ndërsa certifikata mund të merret në sportelet e ARBK-së, apo në Qendrën Komunale të Biznesit (QKB) në Komunën, ku biznesi ushtron veprimtarinë ekonomike.

Dokumentet e bashkangjitura nga aplikuesi në formë elektronike do të arkivohen në formë fizike nga zyrtarët e ARBK-së apo QKB-të. Aplikuesi nuk obligohet të dorëzojë dokumentet në formë fizike në ARBK apo QKB-të.

Përmes platformës e-Kosova, bizneset do të kanë mundësi të sigurojnë informatat dhe historinë e biznesit në mënyrë të plotë elektronike, pa pasur nevojë të paraqiten në sportelet e ARBK-së.

Aplikimi për regjistrimin fillestar të shoqërive tregtare qoftë përmes e-Kosova, sistemit e- Regjistri i Biznesit, apo në mënyrë fizike në sportelin e ARBK-së, apo QKB-së, vazhdon të jetë pa pagesë.

Sportelet e ARBK-së dhe QKB-ve do të vazhdojnë të janë të hapura dhe të operojnë për bizneset dhe qytetarët për shërbimet që kërkohen në formë fizike.