75 Mall Live Search
11:11 / E Hënë, 14 Tetor 2024 / Z S

Nga bashkavokat në konsulent, ndryshime në ekipin mbrojtës të Thaçit

Peter McCloskey i cili mbante pozitën e bashkë-avokatit në ekipin mbrojtës të Hashim Thaçit i ka përfunduar kontrata, kështu që më pas është emëruar si konsulent.

Sipas njoftimit të administratores së Gjykatës Speciale, më 23 shtator 2024, avokati i Thaçit, Luka Mishetiq kishte kërkuar përfundimin e kontratës për McCloskey si bashkavokat dhe emërimin e tij si konsulent, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Më 23 shtator 2024, avokati i z. Thaçi, z. Luka Mishetiq, dërgoi një e-mail te shefi i Zyrës së Mbrojtjes duke kërkuar përfundimin e kontratës së z. McCloskey si bashkavokat për z. Thaçi dhe emërimin e tij si Konsulent me efekt të menjëhershëm”, thuhet në njoftimin e Administratores.

Në të njëjtin dokument thuhet se avokati Mishetiq ka informuar Zyrën e mbrojtjes së përfundimi i kontratës së bashkë-avokatin nuk do të ketë efekt negativ te procesi dhe as të klienti i tyre.

“Më 8 tetor 2024, regjistri konfirmoi përfundimin e kontratës së z. McCloskey si bashkavokat për z. Thaçi në përputhje me nenin 18(6) të Udhëzimit për avokatët dhe e miratoi atë si konsulent në përputhje me kërkesat e përcaktuara në Nenit 18(2) dhe (3) të Udhëzimit për avokatët”, thuhet tutje në këtë dokument.

Ndërsa, thuhet se dokumenti ka edhe një aneks, i cili është konfidencial pasi sipas tyre përmban informacione personale që lidhen me avokatin dhe McCloskeyn.

Aktualisht, ekipi mbrojtës i Thaçit përbëhet nga avokati mbrojtës, Luka Mishetiq ndërsa si bashkëmbrojtës janë: Dastid Pallaska, Pier Rishar Prosper, Sofi Menegon dhe Nina Tavakoli.

Ndryshe, zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit./Indeksonline/